Motra e denoncoi se po i kërcënon me armë, 35-vjeçari nga Suhareka rezulton se po kërkohej nga Policia
Ditë më parë Gazeta Sinjali ka raportuar për një rast në fshatin Mushtisht të Suharekës, ku një grua ka denoncuar vëllain e saj, për të cilin ka deklaruar se është i dehur dhe me armë në dorë po kërcënon anëtarët e familjes. I dyshuari ishte arratisur nga vendi i ngjarjes, çka bëri që Policia të vihet në lëvizje për ta kapur atë.
Tetë ditë më vonë është arritur që i dyshuari të shoqërohet në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka deklaruar se ka qenë në gjendje të dehur dhe ka ofenduar familjarët, por nuk ka pasur armë në dorë.
Mirëpo gjatë verifikimit në sistem, i dyshuari ka rezultuar se është i kërkuar me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prizren, pasi ishte i dënuar me burgim.
Pas arrestimit, 35-vjeçari është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.