Pse u largua “Kobra” nga burgu i Sigurisë së Lartë, avokati tregon detaje

Pse u largua “Kobra” nga burgu i Sigurisë së Lartë, avokati tregon detaje

Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”, është zhvendosur dje nga burgu i Sigurisë së Lartë në qendrën e paraburgimit në Gjilan. Ai është i dyshuari kryesor për vrasjen e kukësianit Visart Cengu dhe plagosjen e Rufgen Shehut. 

Të enjten e kaluar, Gazeta Insajderi raportoi se Dibran Hoxhaj është zhvendosur nga burgu i Sigurisë së Lartë në qendrën e paraburgimit në Gjilan.

Avokati i tij Nexhat Elshani tha për Gazetën Insajderi se kërkesa për transfermim të “Kobrës” në një qendër të burgimit tjetër nuk është bërë nga pala mbrojtëse.

Sipas tij arsyeja mund të jetë se i duhet hapësira më e madhe për veprime hetimore.

“Ndoshta për shkak të afërsisë, ndoshta hetuesit e marrin në pyetje më afër apo edhe se ky burg ka më shumë hapësirë për veprime hetimore. Kërkesa nuk është bërë nga familja as nga ne, është procedurë e institucionit”, tha Elshani për Insajderin.

Arsyeja pse “Kobra” është dërguar në këtë qendër ende nuk është bërë e ditur. Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës është thënë se vendimi për transferimin e tij nga burgu i Sigurisë së Lartë, është marrë për arsye operacionale. 

Si ndodhi ngjarja që tronditi Shqipërinë dhe Kosovën?

Natën e 3 janarit, 31 vjeçari Visart Cengu së bashku me dy shokët e tij, kishin dal për t’u argëtuar. Ata kishin zgjedhur lokalin “Kobra City” për ta kaluar natën e tretë festive të vitit të ri.

Fatura në vlerë prej 400 eurosh, u tha se u bë shkas që Visart Cengu, Rufgen Shehu dhe A.B të përleshen brenda lokalit në fjalë.

Në kohën kur të përmendurit kishin dal nga lokali, në parking i kishte pritur Dibran Hoxhaj. Hoxhaj kishte shtënë me armë në drejtim të veturës së tyre.

I vrarë mbeti Visart Cengu dhe i plagosur Rufgen Shehu. Ata nuk e ndaluan makinën derisa kaluan kufirin.

“Pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën me targa angleze, për tu larguar, në parkingun e lokalit paraqitet i dyshuari Dibran Hoxhaj, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin Visart Cengu, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe Rufgen Shehu, i cili kishte qenë në ulësen e përparme. Si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri Visart Cengu, ndërron jetë rrugës për në spital të Kukësit, derisa Rufgen Shehu nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

CATEGORIES
Share This