Klubi Superligës në Futboll në shitje!

Klubi Superligës në Futboll në shitje!

Florim Zuka ka konfirmuar se klubi i futbollit Gjilani është në shitje. Zuka është pronar i Gjilanit. Zuka nuk ka dhënë më shumë detaje të hënën, në ditën kur edhe është hapur oferta për shitjen e 100 për qind të aksioneve.

“Po, Gjilani është në shitje dhe për gjithçka tjetër do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Zuka shkurt nëpërmjet telefonit për KOHËN.

Zuka ka theksuar se për shitjen e aksioneve është i autorizuar avokati, Arsim Vranovci. Çmimi i 100 për qind të aksioneve është 550 mijë euro. Edhe Vranovci të hënën ka bërë të ditur se vetëm një kompani e Gjilanit ka shprehur interesim për blerjen e aksioneve. Oferta për shitjen e aksioneve është bërë të hënën.

“Në takimin e mbajtur për shitjen e klubit të hënën ka qenë vetëm një ofertë e kompanisë nga Gjilani, ‘AR Katana’. Lajmi se nuk po shitet klubi e ka bërë të veten dhe prandaj mendoj se kemi pasur vetëm një ofertues. Klubit i duhet një pronar, pasi Zuka qëndron prapa asaj që ka thënë. Nuk e dimë shumën e ofruar, pasi oferta do të hapet vetëm në praninë e pronarit. Pronari gjendet jashtë vendit dhe do të hapet kur ai të jetë i pranishëm në Kosovë. Nëse është serioze, atëherë do ta thërrasim pronarin e kompanisë për të vazhduar tutje procedurat”, ka thënë Vranovci për KOHËN. Ai ka theksuar se ka pranuar disa e-maile edhe nga disa kompani jashtë vendit. “Kam pranuar 4-5 e-maile nga disa kompani jashtë vendit që kanë shprehur interesimin për informata shtesë, sepse ju e dini që e kam dërguar edhe për jashtë vendit ofertën”, ka theksuar Vranovci. Gjilani rrezikoi që të mbetej edhe pa lojtarët e tij kryesorë. Shumë lojtarë u kërkuan nga klube të ndryshme të Kosovës, por edhe jashtë saj. Gjilani vetëm javën e kaluar iu kthye përgatitjeve pas, siç u tha, shlyerjes së disa borxheve dhe premtimit se pronari Zuka do t’u qëndrojë prapa deri në shitje të klubit apo më së largu deri në fund të sezonit aktual të Superligës së Kosovës në futboll. Gjilani stinorin vjeshtor e përfundoi në pozitën e katërt në tabelë, ndonëse me telashe dhe pa marrë asnjë pagë.

CATEGORIES
Share This