“Vërshojnë” kërkesat për të blerë agregat, disa edhe po i riparojnë të vjetrit

Tash e sa ditë Kosova po përballet me reduktime të energjisë elektrike, si pasojë e krizës energjetike.

E me këto reduktime po dëmtohet ekonomia në vend, të cilat thonë se dëmi i shkaktuar nga energjia është shumë i madh. Dëmet po shkaktohen edhe në gastronomi dhe në ekonomitë familjare, teksa këto të fundit, detyrohen të blejnë gjenerator, si pasojë e ndërprerjes së energjisë.

Burim Piraj, pronar i një kompanie vendore thotë se mungesa e energjisë elektrike sjell probleme të mëdha, duke thënë se pajisjet moderne nuk mund të punojnë me çfarëdo energji elektrike, teksa shton se tensioni i ulët i energjisë elektrike paraqet probleme të mëdha.

Ai tha se gjeneratorët harxhojnë diku afro 500 euro në ditë e se kjo është e papërballueshme. Dëme i kanë shkaktuar edhe KEDS-i, për të cilët thotë se procedurat e vonuara nëpër Gjykata, e kanë detyruar të heq dorë nga ndjekjet penale.

Pirraj tha se për shkak se është zonë rurale edhe kur nuk ka probleme në pjesët tjera të Kosovës, ata përballen shpesh me reduktime të energjisë elektrike.

“Kemi pas takime disa herë me KEDS-in, kemi pasur takime të ndërmjetësuara nga institucionet komunale nga deputetë të ndryshëm. Duda Bajle ka qenë një prej atyre që na kanë organizuar takime me zyrtarët e KEDS dhe të KESKO. Fatkeqësisht e njëjta është përsëritur dhe po vazhdon të përsëritet edhe po kemi probleme të mëdha”, thotë ai.

Si pasojë e kësaj krize, kërkesat për gjenerator janë rritur si për familje e për biznese. Por edhe servisëve të gjeneratorëve këto ditë iu është shtuar puna.

Këtë për EO e ka konfirmuar Eron Hamza, i cili merret me servisimin e tyre, tha se kërkesat për rregullimin e gjeneratorëve janë rritur.

“Rryma u ndal që dy ditë. Që njëzet vite nuk i kanë përdor hiç, e i kanë dhënë zor tash pasi u ndal rryma. Nuk i kanë përdor që një kohë të gjatë, secili ka nevojë. Po duhet me ja bë nga një servis se nuk i kanë ndez moti, për gjysmë ore, një orë e rregulloj. Tash po i japin zor shumë, shpirtin në fyt e kanë, i japin zor menjëherë. Mu prish kjo, mu prish furra”, u shpreh ai.

Dëme të mëdha po i shkakton edhe Tahir Berishës, berber në Prishtinë. Ai thotë se si pasojë reduktimeve të energjisë elektrike kanë pasur vështirësi shumë dhe janë detyruar të blejnë edhe gjenerator.

“Punë nuk ka, duhet me ndez gjeneratorin myshteriu nuk mundet me ardhë me u qeth se nuk ka rrymë. Shumë problem, edhe e paguajmë edhe nuk ka kjo është shumë keq. Puna ka ra shumë ka ra se po varemi prej rrymës, ski rrymë nuk ka punë. U dashtë me ble gjeneratorin, deri tash nuk kemi pas nevojë, tash u dashtë me ble. Pa gjenerator nuk mundemi me punu, nxemja nuk punon”.

Egzon Krasniqi tha se ndërprerja e energjisë elektrike për gastronomi është shumë problem.

“Gjeneratori është pak më i madh, harxhimet janë shumë më të mëdha. Domethënë ne po paguajmë edhe rrymë edhe harxhime karburante që duhet me i’a vendos”, u shpreh ai

CATEGORIES
Share This