Ekskluzive: Suspendohet zyrtari policor , i dehur dyshohet se sulmoi një 32-vjeçare në një lokal

Ekskluzive: Suspendohet zyrtari policor , i dehur dyshohet se sulmoi një 32-vjeçare në një lokal

Pjesëtarët e Policisë të cilët janë të thirrur për të ofruar rend dhe siguri dhe e kanë detyrim denoncimin  e rasteve të ndryshme, kurdo dhe kudo që ata janë prezentë, jo rrallëherë futen edhe vet në telashe. Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur të shtunën, në rrugën “Jusuf Gërvalla” në Prizren, ku një zyrtar policor është përfshirë në një incident, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se zyrtari policor (emër i njohur për redaksinë) po dyshohet se në rrethana akoma të panjohura, e ka sulmuar fizikisht një 32-vjeçare, teksa po qëndronin të dy në një lokal.

Sinjali mëson se polici i dyshuar ka qenë në ndikimin e alkoolit kur është përfshirë në përleshje, ku për pasojë i ka shkaktuar lëndime trupore viktimës, e cila po ashtu ka qenë e dehur, gjatë kohës sa kanë qenë së bashku.

Posa rasti është denoncuar në Polici, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Inspektorati Policor i Kosovës, me ç’rast pas marrjes së informacioneve të marra kanë rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor në kohëzgjatje prej 72 orësh.

Të njëjtat burime thonë se zyrtari policor që po dyshohet për këtë rast fillimisht është ndaluar për disa orë në stacion policor e më pas është liruar me urdhër të Prokurorit të Shtetit. 

Ndaj tij, kanë nisur hetimet në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

CATEGORIES
Share This

COMMENTS

Wordpress (0)
Disqus ( )