Bie çmimi i vezëve,ky është çmimi

Bie çmimi i vezëve,ky është çmimi

Sot e dje, dhe thuaja që nga java e kaluar, në zingjirin e dyqaneve të specializuara të një prodhuesi produktesh të shpezëve me emër në Kosovë, vezët e cilësisë së mirë, kushtonin 2,50 euro për një amballazhim me 30 copë të këtij produkti. Në po këto dyqane, vetëm para pak ditësh 30 copë vezë kanë kushtuar 2,90 euro, ndërsa para një muaj e ca, paketimi i 30 copë vezëve është tregtuar me 3,90 euro, madje edhe 4,40 euro. Çmimi i sotshëm prej 2,50 eurosh, krahasuar me atë prej 4,40 eurosh, i bie të jetë përafërsisht përgjysmë më i ulët.

Përafërsisht me të njëjtin çmim, këto ditë, 30 copë vezë po tregtohen edhe në shtandet e tregjeve të gjelbra, por edhe në minimarkete, markete dhe supermarkete. Në Tregun e gjelbër kryesor të Prishtinës, sot vezët (paketimi 30 copësh) kushtonin njësoj si në shitore, 2,50 euro. Ndërkaq, supërmarketet dhe qendrat e mëdha tregtare ku dominojnë produktet ushqimore, çmimin e ulur po e përdorin dhe po e shfrytëzojnë për të promovuar ulje çmimesh (të ashtuquajturat aksione), ku 30 copë vezë të martën, por edhe sot kanë pasur çmimin 2,59, 2,49, 2,36 euro. Sidoqoftë, çmimi aktual i vezëve, po të krahasohet me çmimet që ky produkt kishte në dhjetor të 2022-tës, ose në janar dhe shkurt të këtij viti, është një ulje goxha evdente.

Siç dihet, dhe siç raportonin mediet dhe ASK-ja, nëpërmjet raporteve të përditësuara të evidentimit të çmimeve të produkteve ushqimore, në muajt e fundit në vitin e kaluar, e sidomos në prag të festave të fundvitit, ka pasur rritje ekstreme të çmimit të vezëve. Në këtë kohë, në dhjetor të 2022-tës, 30 copë vezë kanë kushtuar saktësisht 4.49 euro deri në 5,50 euro, në ca markete dhe minimarkete.

CATEGORIES
TAGS
Share This