Jep dorëheqje anëtari i Kryesisë së LDK-së
Faton Bislimi, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dhënë dorëheqje nga Kryesia e LDK-së.
Ai këtë e ka bërë publike në Facebook’un e tij ku ka publikuar edhe letren e dorëheqjes dërguar kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut.
Bislimi ka thënë se është injoruar paarsyeshëm dhe se dorëheqja e tij nuk ka qenë e lehtë, teksa ka radhitur arsyet për këtë dorëheqje.
“Marrja e këtij vendimi nuk ishte aspak e lehtë! Por, në mes të heshtjes përballë injorimit të paarsyeshëm, personalizimit të skajshëm, dhe përpjekjes perfide për sforcim të pozitës personale e jo të partisë, kryesisht nga kreu i saj në njërën anë, dhe besimit të palëkundur për një LDK që i qëndron besnike vizionit rugovist, për një LDK që shpërfaqë e praktikon djathtizmit autentik kombëtar si dhe një LDK që e sheh secilin aktivist e aktiviste, të mëparshëm apo të tanishëm, si hisedarë e jo si shërbëtorë të partisë; unë zgjedh këtë të fundit.”, ka thënë Bislimi.
Ai ka qenë i ashpër në kritika ndaj LDK-së duke thënë se po bëjnë homazhe fallso para varrezave të figurave themeltare të partisë, se po bëjnë thirrje për miqësi me SHBA-të veç për poena politik e se nuk po vlerësohen aktivistët.
“Zgjedh LDK-në e idealeve dhe pragmatizmit politik, jo atë të interesave personale e grupore; LDK-në e atyre që sakrifikuan e nuk u lodhën asnjëherë së punuari për liri, demokraci e pavarësi, jo atë të lartësimit të përfituesëve e tregtarëve politikë; LDK-në e vlerësimit dinjitoz të figurave themeltare e të të rënëve të saj, e jo atë të homazheve fallso para varreve të tyre; LDK-në e miqësisë permanente me SHBA-të, jo atë të thirrjes me zë të shterur në këtë miqësi vetëm për poena politikë; LDK-në e aktivistëve e kontributdhënësëve, jo atë të titullarëve! Për këtë LDK, qëndroj i palëkundur edhe tash e tutje!”, thotë Bislimi.