Ke me kanë gruja jem”/ Burri kërcënon vajzën e mitur të shokut të tij, e kap për fyti
Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve. Në shumë raste, viktima janë vajzat e mitura, të cilat keqpërdoren nga persona të panjohur, por edhe nga ata të cilët i kanë të afërm. Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për këto raste dhe për të dyshuarit që kanë rënë në prangat e Policisë.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në fshatin Duzhnje të Gjakovës, ku një person dyshohet se ka ngacmuar dhe ka kërcënuar vajzën e mikut të tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 37-vjeçari pretendon se vajza në të ardhmen do të jetë gruaja e tij dhe në këtë mënyrë, e shqetëson vazhdimisht duke i shkuar në shtëpi dhe përmes rrjeteve sociale.
I dyshuari përpos kërcënimeve, ka ushtruar edhe dhunë fizike ndaj të miturës, duke e kapur për fyti në shtëpinë e saj.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ai të dërgohet në mbajtje si i dyshuar për veprën penale ‘Kanosje’.