Vajza 13-vjeçare në Fushë Kosovë dyshohet se u dhunua nga 15-vjeçari me të cilin ishte njohur

Vajza 13-vjeçare në Fushë Kosovë dyshohet se u dhunua nga 15-vjeçari me të cilin ishte njohur

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur, por shpeshherë të dyshuar janë edhe persona të afërm të tyre me të cilët kanë krijuar lidhje dashurie. Për një rast të tillë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti u zbulua pas denoncimit të një vajze të mitur në Fushë Kosovë, e cila bashkë me babin e saj ia mësynë Policisë, ku ka rrëfyer se është detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale nga personi me të cilin ishte njohur që disa muaj.

Sinjali mëson se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur në një objekt të pabanuar, ku vajza e moshës 13-vjeçare, dyshohet se është dhunuar nga i dyshuari 15-vjeçar. Përveç që dyshohet se kryen marrëdhënie seksuale, pa dëshirën e të miturës, i dyshuari edhe e ka kanosur e shantazhuar atë.

Përballë kësaj situate, e frikësuar dhe e shqetësuar jashtëzakonisht shumë, vajza vendosi t’i tregojë familjes e më pas ta raportojë rastin në Polici.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur ta arrestojë të miturin e dyshuar, i cili është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe nisjen e hetimeve ndaj tij në drejtim të veprës penale “Dhunimi”.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.

CATEGORIES
TAGS
Share This