Federata refuzon ankesën e Ballkanit, dënimet mbeten në fuqi
Shkalla e dytë e Komisionit për Ankesa në Federatën e Futbollit të Kosovës, ka refuzuar ankesën e KF Ballkanit e cila nuk ishte pajtuar me dënimet nga Disiplinori pas ndeshjes me Dukagjinin ku ishin shkaktuar telashe të mëdha, shkruan Demokracia.com.
Ballkani u dënua me gjobë prej 1500 eurove, ndërsa presidenti i klubit Arsim Kabashi dhe trajneri Ilir Daja u dënuan me nga 1000 euro ndërsa menaxheri Idriz Hajrizi dhe drejtori sportiv Nderim Nexhipi u dënuan me nga 500 përkatësisht 300 euro.
Venimet e Komisionit për Ankesa
Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë, në përbërje Haki Xhemajli kryetar, Sitki Baftiu dhe Remzi Azemi anëtarë, në mbledhjen e mbajtur me datë 27.03.2023 shqyrtoi ankesën e FC ”Ballkani” me nr Reference 1274/1 datë 09.03.2023, e cila ka atakuar vendimin e Komisionit Disiplinor të datës 03.03.2023. Komisioni Disiplinor –shkalla e parë për shkak të inicidentit në ndeshjen të xhiros së 22-të të Albi Mall Superligës, Ballkani-Dukagjini ka dënuar FC “Ballkani” me gjobë prej 1500 euro (lëshim në organizim të ndeshjes), presidentin e klubit Arsim Kabashi me gjobë prej 1000 euro, Nd/menaxherin Idriz Hajrizi me gjobë prej 500 euro dhe me 3 (tre) ndeshje zyrtare të organizuara nga FFK pa të drejtë të ushtrim të detyrës zyrtare, kryetrajnerin Ilir Daja me gjobë prej 1000 euro si dhe drejtorin sportiv Nderim Nexhipi me gjobë prej 300 euro. Pas shqyrtimit të të gjithë dokumentacionit dhe provave tjera shtesë, Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë mori këtë:
VENDIM
Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë në mbledhjen e mbajtur më datë 27.03.2023 pas shqyrtimit të të gjitha shkresave, argumenteve dhe provave shtesë të ofruara konstatoi se vendimi i Komisionit Disiplinor –shkalla e pare 03.03.2023 është i drejtë dhe Vërtetohet, ndërsa ankesa e FC“ Ballkani ” refuzohet si e pabazuar.