Erdhi dita:Nga gardian në zëvendësdrejtor brenda vitit

Erdhi dita:Nga gardian në zëvendësdrejtor brenda vitit

Për më pak se 10 muaj, Besar Gashi, dikur gardian tash njëri nga udhëheqësit e Shërbimit Korrektues të Kosovës, është avancuar disa herë. Fillimisht nga pozita e gardianit ishte emëruar zv/drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, për të kulmuar krejt në fund duke marrë një nga pozitat më të rëndësishme në Shërbimin Korrektues të Kosovës, zëvendësues i zv/drejtorit të përgjithshëm për Siguri dhe Operativë.

Viti i fundit ka qenë mjaft i suksesshëm për Besar Gashin. Zyrtari i Shërbimit Korrektues të Kosovës është avancuar për disa herë me radhë brenda pak muajve, duke marrë tashmë një nga funksionet më të rëndësishme operative në SHKK.

Gazeta Nacionale bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike ka siguruar vendimet për avancimin e Gashit nëpër pozita të ndryshme, për të kulmuar te ajo që e ushtron nga janari i vitit 2023: zëvendësues i zv/drejtorit të përgjithshëm për siguri dhe operativë në SHKK.

Besar Gashi deri së voni ushtronte detyrën e gardianit. Nga pozita e gardianit, me dilema të forta për shkeljen e Udhëzimit Administrativ për gradat korrektuese, Gashi ishte emëruar zv/drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prizren. Në një konkurs ku kishin të drejtë të aplikonin vetëm nëpunës civilë nga kategoria e njëjtë.

Pra, nga grada e zyrtarit korrektues, Gashi ishte avancuar në pozitën mbikëqyrës i lartë. Sipas këtij udhëzimi administrativ, për të kaluar në gradën e Mbikëqyrësit 2 duhen së paku tri vite përvojë pune si zyrtar korrektues. Për gradën Mbikëqyrës 3, duhen së paku 5 vite përvojë si zyrtar korrektues, apo tri vite përvojë si mbikëqyrës.

Avancimet për Gashin nuk u ndalën. Në fakt vetëm se u shtuan. Krejt kjo sidomos pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje.

Disa muaj pasi Besar Gashi u emërua zëvendës drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ai u avancua sërish. Në muajin korrik të vitit të kaluar, Besar Gashi u emërua zëvendësues i Udhëheqësit të Drejtoratit për operativë, siguri dhe transportin e të burgosurve në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Lajmet e mira për Besar Gashin erdhën edhe qysh në start të vitit 2023. Ai me një vendim nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u emërua në një nga funksionet më të rëndësishme në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Gashi u emërua zëvendësues i zv/drejtorit të përgjithshëm për Siguri dhe Operativë në SHKK.

CATEGORIES
TAGS
Share This