Aktakuzë për mashtrim ndaj një personi, i mori 10 mijë euro për ta punësuar një femër
Aktakuzë për mashtrim ndaj një personi, i mori 10 mijë euro për ta punësuar një femër në Spitalin e Prizrenit👇
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.L., në cilësi të mjekut në QKUK në Prishtinë, i cili nga data 08.02.2023 gjendet në paraburgim, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale“Mashtrimi”nga neni 323 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, nga data e pavërtetuar gjatë muajit maj të vitit 2021 e në vazhdimësi deri në muajin nëntor të vitit 2021, në njërin prej lokaleve në fshatin Korishë, Komuna e Prizrenit, i pandehuri E.L., përmes paraqitjes së fakteve të rreme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e mashtron duke e vënë në lajthim të dëmtuarin Sh.R., dhe me këtë e nxit të kryejë veprim në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë i pandehuri shkon si klient në lokalin e lartpërmendur pronë e të dëmtuarit, të cilit i prezantohet si mjek që punon në QKUK në Prishtinë, dhe i dëmtuari e njofton të pandehurin se nusja e tij përkatësisht bashkëshortja e djalit të tij, me profesion është infermiere dhe është e papunë dhe dëshiron që e njëjta të punësohet si infermiere në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit. I pandehuri E.L., e njofton të dëmtuarin se ka njerëz që munden ta punësojnë nusen e djalit, duke kërkuar nga i dëmtuari të holla me qëllim të punësimit të nuses së tij, ku i pandehuri gjatë muajit maj të vitit 2021, takohet në lokalin e të dëmtuarit nga i cili në emër të punësimit të nuses së tij pranon shumën prej 4.000€, dhe i pandehuri pasi i merr këto të holla, vazhdon të kërkojë të holla nga i dëmtuari kinse për nevoja të tij personale, ku i dëmtuari nga muaji qershor të vitit 2021 deri në muajin nëntor të vitit 2021, në periudha të ndryshme kohore të pandehurit në disa pjesë i jep të holla në vlerë prej 5.650€, dhe i pandehuri pas pranimit të hollave, nuk arrin ta punësoj bashkëshorten e djalit të të dëmtuarit, dhe të hollat që i ka marrë në emër të këtij shërbimi të premtuar si dhe të hollat që i kishte marrë kinse për gjëra të tij personale, nuk i’a kthen të dëmtuarit, me të cilat veprime të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerë prej 9.650 €.
Me këto veprime, i pandehuri E.L., ka përmbushur elementet e veprës penale “Mashtrimi” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.