Zbulohet emri i ekipit të dyshuar për kurdisje të rezultateve
Gazeta e madhe franceze, Le Parisien, ka shkruar të enjten mbrëma se Llapi i Podujevës është ekipi i dyshuar për kurdisje të rezultatit të ndeshjeve në Superligën e Kosovës në futboll.
Një institucion i hetimeve në Francë ka shkruar të enjten se ka të arrestuar dhe janë hapur hetime lidhur me kurdisjen e rezultateve në katër ndeshje të Superligës.
Mediat franceze fillimisht nuk kanë përmendur emrin e ekipit, por Le Parisien ka shkruar se bëhet fjalë për Llapin e Podujevës. Sipas Le Parisien, rrjeti i të përfshirëve është i madh, ndërsa janë edhe anëtarë të stafit drejtues dhe teknik të Llapit, si dhe disa lojtarë të kësaj skuadre.
FFK-ja ka thënë se nuk është në dijeni për shkrimet në Francë, ndërsa nga MKRS-ja kanë thënë se janë njoftuar dhe se një Këshill kundër Dhunës po merret me rastin.