IPK-ja kërkon suspendimin e 6 zyrtarëve policor, dyshohet se një qytetar ishte ndaluar padrejtësisht
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka pranuar dje një ankesë nga një qytetar i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në Ferizaj.
Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur dje në orët e hershme të mëngjesit kur qytetari ishte ndaluar nga policia fillimisht si i dyshuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore.
Përderisa hetimi është duke vazhduar ndaj 6 zyrtarëve policorë, IPK ka bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre.
Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.