Pas Krasniqit, Cluj afer marrëveshjes edhe me një lojtar tjetër të Ballkanit

Pas Krasniqit, Cluj afer marrëveshjes edhe me një lojtar tjetër të Ballkanit

Kampioni i Rumanisë në futboll, Cluji, ka shprehur interesim për ta transferuar edhe sulmuesin tjetër të skuadrës së Ballkanit, Meriton Korenica. KOHA ka mësuar se Cluji ia ka kërkuar Ballkanit edhe Korenicën. Ditë më parë Cluji prezantoi Ermal Krasniqin. Krasniqi debutoi me gol me fanellën e klubit rumun.

“Ka interesim nga Cluji për Meriton Korenicën. Por jemi duke shikuar edhe një klub nga Belgjika që po ashtu ka shprehur interesim për futbollistin tonë. Janë edhe disa lojtarë të tjerë që janë në listat e klubeve të ndryshme evropiane. Por, do të analizohet më e mira për futbollistët”, ka thënë një zyrtar i klubit suharekas në kushte anonimiteti për KOHËN të mërkurën.

Sulmuesi 26-vjeçar ka pasur paraqitje të mira me fanellën e Ballkanit, si në kampionatin e Kosovës ashtu edhe në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Korenica po vazhdon me formë të mirë edhe në miqësoret që Ballkani është duke i zhvilluar në Antalia të Turqisë. Ai ka shënuar dy golat në dy fitoret e Ballkanit. Ballkani të mërkurën fitoi 1:0 ndaj klubit elitar të Bullgarisë, Beroe. Korenica shënoi edhe në fitoren 1:0 ndaj Kaysarit të Kazakistanit. Korenica të mërkurën për KOHËN ka thënë se i takon klubit të vendosë për të ardhmen e tij. Ai me Ballkanin ka kontratë deri në qershor të vitit 2025.t

“Sa u përket ofertave e di më mirë klubi, pasi unë kam kontratë me Ballkanin dhe jemi duke biseduar vazhdimisht nëse vjen diçka konkrete. Dhe, nëse ka diçka konkrete që u përshtatet të dyja palëve pse jo. Do të jetë një ëndërr e realizuar lëvizja në ndonjë kampionat tjetër në Evropë”, ka thënë Korenica.

Ai insiston se fokusin e ka te Ballkani. Me Ballkanin synon mbrojtjen e titullit të kampionit.

CATEGORIES
TAGS
Share This