‘Rrymë vetëm sa për Prishtinën’: Pas bllokut A3 bie nga sistemi edhe blloku B1

Të dielën portali u raportua për përkeqësimin e situatës energjetike në vend, pas mos-arritjes së futjes në funksion të bllokut B2 dhe rënies nga sistemit të bllokut A3. Tani raportohet se është ndërprerë edhe prodhimi nga Blloku B1.


Gazeta Nacionalja raporton sot se ka rënë nga sistemi edhe blloku B1. Ky lajm është konfirmuar edhe nga burime të tjera brenda Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka shtuar Nacionalja.

Kjo nënkupton se aktualisht është duke funksionuar vetëm blloku A4 i Termocentralit Kosova A, ndërsa prodhimi i energjisë elektrike nuk mjafton as afërsisht që të mbulojë konsumin ditor.

Ky konsum shkon deri në 600 MWh, ndërsa aktualisht po prodhohen rreth 120 MWh. Kjo sasi aktualisht nuk mjafton “për të furnizuar as kryeqytetin”.

“Po prodhojmë rrymë vetëm sa për Prishtinën”, i tha burimi gazetës Nacionale.

Ndërkohë, KOSTT dje i kërkoi KEDS-it që të shtonte reduktimet e energjisë elektrike, ndërsa korporata turke i kërkoi konsumatorëve që të “kufizonin maksimalisht” shpenzimin e energjisë elektrike pas daljes nga funksioni të bllokut A3.

Po gjatë ditës së djeshme, Nacionale ka raportuar se ka dështuar të futet në funksion në kohën e paraparë edhe blloku B2.

Ky bllok ishte paraparë të futej në funksion më 26 gusht, por ishte shtyrë për një javë.

Një gjë e tillë pritet të rëndojë edhe më shumë situatën energjetike në vend. Aktualisht, qytetarët po vuajnë reduktime nga dy orë në ditë, ndërkohë që KEDS ka paralajmëruar masa të reja.

CATEGORIES
TAGS
Share This