E pabesueshme, por e vërtetë: Albulena Haxhiu ishte arrestuar në protestën kundër marrëveshjes që tani po krenohet

Mund të duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Edhe ministrja aktuale e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishte arrestuar së bashku me 35 aktivistë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, më 3 shtator 2011.

Haxhiu, dikur një opozitare e zëshme, së bashku me dhjetëra aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kishin dalë për ta “pritur” zëvendëskryeministren e Kosovës, Edita Tahiri, e cila po kthehej nga Brukseli pas dialogut me Serbinë.

Qëllimi i aktivistëve të Vetëvendosjes ishte që ta bllokonin zëvendëskryeministren dhe “koncesionet” që ajo po i sillte në Kosovë nga dialogu me Serbinë. Sipas Vetëvendosjes, aktivistët e saj “kishin hedhur domate të kalbura në drejtim të veturës së zv.kryeministres për ta simbolizuar kështu efektin që marrëveshjet e Editës i shkaktojnë shtetësisë së Kosovës – ato po e kalbin dhe çmontojnë gradualisht Republikën e Kosovës”.

Kjo protestë e Vetëvendosjes ishte mbajtur vetëm dy muaj pasi në Bruksel ishte arritur marrëveshja për Lëvizjen e Lirë, e të cilën kjo parti e konsideronte si nënshtrim të Kosovës ndaj Serbisë. Sipas partisë së Albin Kurtit, këto marrëveshje po e kalbnin dhe çmontonin gradualisht Republikën e Kosovës.

Pavarësisht këtij qëndrimi të fortë kundërshtues, Haxhiu është ministrja e parë e Qeverisë Kurti që u ngut të shtunën e 27 gushtit 2022 për ta përshëndetur dakordimin e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për të zbatuar marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

Vetëvendosje kishte reaguar ashpër pas arrestimit të aktivistëve të saj, duke e konsideruar brutale ndërhyrjen e Policisë së Kosovës.

Albulena Haxhiu nuk ishte e vetmja që ishte arrestuar në këtë protestë të Vetëvendosjes. Partia e Kurtit kishte publikuar listën e plotë të aktivistëve të arrestuar. Në mesin e tyre ishin edhe dy vëllezërit tashmë të ndjerë Dehari, Astriti dhe Arbnori.

Sipas Vetëvendosjes, lista e të gjithë të arrestuarave nga Policia e Kosovës më 3 shtator 2011 ishte kjo:

Adonis Tahiri, Agron Kabashi, Aida Dërguti, Albana Fetoshi, Albulena Haxhiu, Anita Shabani, Arbnor Dehari, Astrit Dehari, Boiken Abazi, Dardan Molliqaj, Drenushë Xhemajli, Durim Jasharaj, Erzen Vraniqi, Etleva Malushaj, Flamur Pireva, Frashër Krasniqi, Gëzon Kastrati, Krenare Krasniqi, Kreshnik Ahmeti, Kushtrim Dakaj, Labinot Kelmendi, Leonida Molliqaj, Marigonë Drevinja, Muhamet Bytyçi, Naim Jakaj, Nora Fetoshi, Pajtim Demaj, Rron Gjinovci, Selman Sokoli, Teuta Rrusta, Valdrin Ahmeti, Zgjim Hyseni, Myrvete Haradinaj, Lirim Gashi.

TAGS
Share This