22-vjeçarja rrahet në mes të rrugës nga burri me të cilin bashkëjeton, ai e pranon se ushtron dhunë
Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë, raporton Gazeta Sinjali
Një rasti i tillë është raportuar edhe mbrëmë në Malishevë, nga një 22-vjeçare, e ka telefonuar Policinë për të kërkuar ndihmë pasi është sulmuar fizikisht nga personi me të cilin bashkëjeton.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pasi viktima ishte duke u kthyer në banesë nga puna, kur i dyshuari i kishte dalë përpara dhe dyshohet se e ka goditur, duke i shkaktuar lëndime trupore. Për pasojë, ajo është dërguar në Emergjencë për të marrë trajtim mjekësor, teksa më pas ka dhënë deklaratë në Polici.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bazuar në dëshminë e viktimës, i dyshuari 23-vjeçar me të cilin ajo jeton, edhe më parë ka ushtruar dhunë ndaj saj, pasi ata jetojnë që disa muaj bashkë. Ajo ka deklaruar se nuk e kishte raportuar të dyshuarin me shpresën se përfundojnë telashet.
Përveç saj, në stacion policor është shoqëruar edhe i dyshuari, i cili është përballur me denoncimin kundër tij, ku e ka pranuar se e ka rrahur gruan me të cilën bashkëjeton. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.