Problemi i para dy viteve i bën copa dy persona në Mushtisht
Një problem i nisur dy vite më parë u bë mollë sherri mbrëmë për dy të rinj në fshatin Mushtisht.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 në lagjen Baçevc, ku një 28-vjeçar në shenjë revolte ka thyer dritaren e veturës së 19-vjeçarit, me ç’rast është lënduar pasagjeri që ndodhej në veturë, e që është një person i mitur. Po ashtu vetura ka pësuar dëme materiale.
I mituri i moshës 16-vjeçare për shkak të lëndimeve që mori nga xhamat e dritares është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndërkohë rasti është denoncuar edhe në Policinë e Kosovës, të cilët kanë shoqëruar në stacion për intervistim personat e përfshirë në rast.
Me vendim të prokurorit, ndaj 28-vjeçarit është iniciuar rasti për veprat ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Dëmtim prone’.