Trajneri i La Fioritas flet para ndeshjes me Ballkanin: Janë një ekip agresiv

Trajneri i skuadrës La Fioritas, Oscar Lasagni ka folur në një konferencë për media në prag të ndeshjes së parë të rrethit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës kundër kampionit të Kosovës, Ballkanit.

Lasagni ka vlerësuar lart skuadrën kosovare duke thënë se ata kanë një përbërje sulmuese.

“Një raund i dytë është gjithmonë sfidues, por mendoj se mund të bëjmë një ndeshje të mirë. Kam parë shumë ndeshje. Ata janë një ekip agresiv, që luajnë shumë lart dhe që e nisin nga fundi aksionin. Një formacion mjaft sulmues. Luajnë kryesisht me 4-3-3 ose 4-2-3-1. Ata janë shumë fizikë dhe të shpejtë, një ekip i mirë”, tha në konferencë trajneri i La Fioritas, Oscar Lasagni, njoftojnë mediat lokale, përcjell Demokracia.com.

“Ne gjithmonë do të adoptojmë qasjen tonë taktike që na ka karakterizuar gjatë gjithë vitit. Ne nuk do të ndryshojmë frymën tonë të lojës dhe për aq sa është e mundur, do të përpiqemi të luajmë një lojë sulmuese”, shtoi Lasagni.

Ndeshja e parë ndërmjet La Fioritas dhe Ballkanit luhet të martën mbrëma me fillim nga ora 20:45 në San Marino. Përballja e kthimit luhet në Prishtinë një javë më vonë.

CATEGORIES
TAGS
Share This