Shtrenjtohen akoma më shumë produktet ushqimore në Kosovë – Ja sa % është rritur inflacioni

Shtrenjtimi i pothuajse të gjithë artikujve ushqimor në Kosovë këtë vit, siç duket nuk ka të ndalur. Vazhdimisht nëpër media po raportohet për ngritje të çmimeve në të gjithë sektorët, duke përfshirë edhe sektorin e ushqimeve bazike që janë të domosdoshme për jetesë.

Vetëm në muajin qershor, inflacioni në Kosovë ka arritur në 14.1%, shifër e lartë kjo që i atribuohet kryesisht rritjes së çmimeve në produktet kryesore siç janë: buka, drithërat, mishi, vajërat, vezët etj.

Raporti më i ri i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) rreth Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin qershor 2022, thekson se inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1,4% në muajin qershor 2022, krahasuar me muajin maj 2022.

“Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 ishte 14,1%”, thuhet në raport.

Ky inflacion mujor i matur nga ASK-ja, shpjegohet me ngritjen e çmimeve të konsumit kryesisht të nëngrupet e COICOP-it, siç janë: buka dhe drithërat që shënuan rritje për 1,1%, mishi me 1,4%, pemët 3,0%, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 2,2%, kafja, çaji dhe kakao 2,3%, pijet alkoolike 1,5%, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 6,0%, si dhe mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me1,8%.

Por, nga të gjitha produktet, rritjen më të madhe e patën karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal që shënuan një rritje enorme prej 15,4%, pastaj shërbimet për transport u rritën me 5,9%, pushimet e organizuara me 4,1%, shërbimet hoteliere me 2,3%, kurse kujdesi personal me 1,5%.

Ndërsa, rënie e çmimeve përgjatë muajit qershor është vërejtur vetëm te nëngrupet e COICOP-it, siç janë: qumështi, djathi dhe vezët me -1,6%, perimet me -10,9%, dhe energjia elektrike me -0,7%, që siç thotë ASK-ja, kjo e fundit ka ndodhur për shkak të rënies së konsumit (shpenzimeve) të energjisë elektrike në muajin qershor 2022, krahasuar me muajin maj 2022.

Ndërkohë, nëse i krahasojmë muajt e njëjtë të vitit 2022 dhe atij 2021, norma vjetore e inflacionit del të jetë rritur për 14.1% në këtë qershor.

Sipas ASK-së, kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it, siç janë: buka dhe drithërat  që patën rritje shumë të lartë deri në 27,7%, mishi po ashtu u rrit me 19,6%, qumështi, djathi dhe vezët me 22,3%, vajrat dhe yndyrat ushqimore me rritje enorme prej 53,8%, perimet me 6,8%, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 19,0%, prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë etj. me 12,8%, kafja, çaji dhe kakao me 17,9%, uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet me 6,2%, pijet alkoolike me 7,0%, dhe duhani me 4,8%.

Rritje e lartë e çmimeve përgjatë kësaj periudhe një vjeçare, është shënuar edhe në sektorë të tjerë si: tek mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit me 11,0%, gazi me 39,3%, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. kanë shënuar rritje për 33,6%, mobiljet dhe orenditë, qilimat dhe mbulesa të tjera dyshemeje me 5,7%, pajisjet shtëpiake për 8,9%, veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht me 12,1%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake për 9,5%, produktet farmaceutike për 4,0%, blerja e automjeteve me 6,8%, kurse pjesët e këmbimit dhe pajisjet shtesë për pajisjet e transportit personal me 6,7%.

Ndërkaq, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal kanë shënuar rritje për 67,3%, kurse shërbimet për transport shënuan rritje me 18,9%.

Përveç këtyre, rritje çmimesh është regjistruar edhe tek gjërat dhe pajisjet tjera rekreative, kopshtet dhe manaret për 5,4%, tek shërbimet hoteliere për 12,6%, dhe tek kujdesi personal për 6,7%.

Në qershorin 2022, krahasuar me qershorin 2021, është vërejtur rënie e çmimeve vetëm tek pemët me -8,4%, dhe tek energjia elektrike me -0,9%, që sipas ASK-së, ka ndodhur për shkak të rënies së konsumit (shpenzimeve) të energjisë elektrike në muajin qershor 2022 krahasuar me muajin qershor 2021. /Buletini Ekonomik/

CATEGORIES
TAGS
Share This