20-vjeçarja Kosovare e denoncoi njerkun për dhunim
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet për një rast të dhunimit që u denoncua nga një 20-vjeçare, e cila ka raportuar se është dhunuar nga njerku, bashkëshorti i nënës së saj, raporton Gazeta Sinjali.
20-vjeçarja ka rrëfyer në Polici se është dhunuar në mënyrë sistematike nga bashkëshorti i nënës së saj, sa herë që ajo ka shkuar ta vizitojë atë në shtëpinë e tyre në rrugën ‘Dëshmorët e Dujakës’. Rasti i fundit, dyshohet se ka ndodhur para disa ditësh, çka e shtyri vajzën që ta denoncojë gjithë tmerrin që po pretendon se e ka përjetuar.
Si rezultat i denoncimit, Sinjali mëson se Policia është vënë menjëherë në lëvizje për ta arrestuar të dyshuari dhe i njëjti është paraqitur pas disa ditësh në stacion policor ku është intervistuar nga hetuesit.
“Lidhur me rastin “Dhunim” i ndodhur me datë 10.07.2022, sot i dyshuari është paraqitur në polici dhe i njëjti pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, lirohet dhe rasti mbetet të trajtohet në procedurë të rregullt”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Gazetën Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se mbetet që gjatë zhvillimit të hetimeve, të shihet nëse vërtetohen apo jo pretendimet e ankueses.
Në anën tjetër, vajza 20-vjeçare është dërguar në Spitalin rajonal të Gjakovës për t’i kryer ekzaminimet e nevojshme.