Enver Hoxhaj: Kosova duhet të bëhet pjesë e nismës së “Ballkanit të Hapur”

Enver Hoxhaj, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës është shprehur sot në “Top Story” se Kosova duhet të bëhet pjesë e nismës së “Ballkanit të Hapur” dhe në këtë mënyrë ajo do të rrisë bashkëpunimin me vendet e rajonit.

Hoxhaj shtoi se Kosova duhet të marrë pjesë në organizatat apo nismat rajonale duke kërkuar mbështetje nga shtetet që të bëhet pjesë e Këshillit të Europës dhe partneritetit për paqe të NATO-s.

“Sa kam qenë në postin e ministrit të Jashtëm, ne kemi ndjekur një qasje që qasje që Kosova të jetë pjesë e çdo organizatë, në çdo nismë rajonale. Ballkani i Hapur nuk është as organizatë, është një grup joformal i shteteve, sikurse është G7 apo G20. Dhe në pikëpamjen time, për Kosovën do të ishte e lehtë nëse sillet në mënyrë konstruktive, kreative dhe merr pjesë në Ballkanin e Hapur dhe kërkon mbështetje nga shtetet që ne të bëhemi pjesë edhe e Këshillit të Europës, që të bëhemi pjesë e partneritetit për paqe të NATO-s. Nuk mund t’i thuash jo një nisme joformale për bashkëpunim në rajon dhe të kërkosh nga partnerët, nga shtet të ndryshme që të të mbështesin, qoftë në Strasburg, qoftë në Bruksel”, është shprehur Hoxhaj.

Rikujtojmë se nisma “Open Balkan”, është një nismë e krijuar fillimisht nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Kjo nismë u krijua me qëllimin e krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

Ai që nuk i është bashkuar kësaj nisme është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili refuzon që Kosova të bëhet pjesë e nismës, për sa kohë Serbia nuk e njeh Kosovës si shtet të pavarur.

CATEGORIES
TAGS
Share This