EKSKLUZIVE: YLLI AFËR MARRËVESHJES ME ISH-NBA LOJTARIN VANDER BLUE

Prishtinë(AsistiOnline) – Po vazhdon puna te kampioni aktual i vendit, Golden Eagle Ylli për kompletimin e skuadrës për stinorin e ri.

Sipas asaj që ka mësuar AsistiOnline.com, klubi nga Theranda është afër marrëveshjes me plejmejkerin amerikan, Vander Blue dhe disa detaje i ndajnë palët nga hedhja e nënshkrimeve në letër.

Në fakt, ky lojtar nuk është emër i panjohur për tifozët e Yllit, pasiqë gjatë stinorit 2019/20 erdhi në klubin therandas, por zhvilloi vetëm një ndeshje, sepse stinori u pezullua për shkak të fillimit të pandemisë COVID-19.

Blue për Yllin atë kohë, kishte luajtur ndaj Prishtinës në kryeqytet plotë 34 minuta me 14 pikë, 6 kërcime, 3 asiste e 3 vjedhje topash.

Ajo që spikat më së shumti në karrierën e Blue, është se ai ka qenë edhe pjesë e disa skuadrave të NBA-së, si Boston Celtics me të cilët u paraqit në 3 ndeshje zyrtare, derisa në ligën verore të NBA-së u paraqit edhe me LA Lakers, Philadelphia Sixers, Memphis Grizzlies, Houston Rockets, San Antonio, Chicago, Dallas etj.

Në edicionin e fundit (2021/22), Blue ka luajtur në elitën e Uruguait me njërën prej ekipeve më të forta atje, ”Penarol” mesatare prej 8.3 pikëve, 3.3 kërcimeve e 2.3 asisteve për ndeshje.

Sigurisht që ardhja e Blue te Ylli dhe përvoja e tij e madhe, do ta ndihmonin shumë ekipin therandas në përmbushjen e synimeve që ka për edicionin e ri, ku do të luajë edhe në Champions League.

CATEGORIES
TAGS
Share This