Kosovarët po humbin paratë, bie për 70 milionë vlera aksioneve të Trustit
Vlera e aksioneve të Trustit ka rënë në këtë gjashtë mujor të parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Fondi i Kursimeve Pensionale, kjo vlerë ka rënë për 70 milionë euro më pak.
Në vitin 2021, vlera e mjeteve nën menaxhimin e Trustit ishte 2.35 miliardë euro, ndërsa aktualisht është 2.28 miliardë euro.
Zëdhënësi i Fondit të Kursimeve Pensionale, Jeton Demi, tregon kjo rënie është si pasojë e inflacionit global.
“Rënia e vlerës së çmimit të njësisë së Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka nisur qysh prej fillimit të 2022, por që kemi pasur rikuperime të kohëpaskohshme. Kjo gjendje e pakënaqshme lidhet me shkallën e lartë të inflacionit global, mbylljen e pjesshme të ekonomisë kineze, shpërthimin e luftës në Ukrainë, sanksioneve ndaj Rusisë, vonesave të shumta në zinxhirin furnizues por edhe ngritjen e fortë të çmimit të naftës dhe gazit. Këta faktorë së bashku kanë ndikuar të kemi një rënie dyshifrore të tregjeve financiare globale. Si pasojë edhe investimet e FKPK-së në tregjet globale janë përballur me rënie të vlerës, por për disa herë më pak sesa indekset kryesore të bursave”, sqaron Demi per Shqip.com
Megjithatë, ai ka thotë se ky institucion vazhdon të jetë në kuota pozitive.
“Megjithatë për shkak se Bordi Drejtues i ka lëvizur këtë periudhë gjashtëmujore rreth 2 miliardë euro, dhe i ka përqendruar rreth 1 miliard euro të investuara në Kosovë dhe në tregun e parasë së gatshme, vlerë e çmimit të njësisë në fund të gjashtëmujorit të parë 2021 është reduktuar me rreth 7% nga fundviti 2021. Megjithatë, për faktin se vitin e kaluar kishim ngritje të fuqishme prej rreth 11%, institucioni vazhdon të jetë në kuota pozitive për periudhat më të gjata sesa 1 vit, çka edhe është inkurajuese për synimin afatgjatë që institucioni ka. Njëkohësisht, portofoli konservativ, i kontribuuesve të moshës 63.5 vjeçare është me ngritje pozitive për këtë periudhë prej rreth 1.2%”.
Projektligji për tërheqjen e mjeteve nga Trusti është hedhur në votim në seancën e Kuvendit të 23 qershorit, por nuk kaloi pasi pozita votoi kundër dhe një pjesë e deputetëve të opozitës kanë munguar në seancë