Ky është 47-vjeçari nga Gjakova që dyshohet se kërcënoi me vrasje inspektorin e komunës
Gazeta Sinjali raportoi sot se Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ndaluar një qytetar, nën dyshimet se ka kërcënuar me vrasje një inspektor të ndërtimit në këtë komunë. I dyshuari, 47-vjeçar, përfundoi në prangat e Policisë, pasi e zuri sherri me inspektorin për shkak të disa punimeve pa leje.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për qytetarin Lulzim Mahmutaj, ndaj të cilit është nxjerrë aktvendimi për ndalim prej 48 orësh. Ai po dyshohet se ka kërcënuar inspektorin A.J., (emër i njohur për redaksinë) gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Motivi i rastit dyshohet të jetë vendimi i inspektorit që i dyshuari t’i ndërprejë disa punime pa leje. Pavarësisht moslejimit nga ana e Inspektoratit, i dyshuari kishte vazhduar punimet deri më sot, kur zyrtarët komunalë u detyruan të intervenojnë. Kjo pasi nuk është hera e parë që inspektori në fjalë përballet me të dyshuarin.
Pas marrjes së informacionit nga Policia, njësitet përkatëse janë vënë në lëvizje duke shoqëruar në stacion policor të dyshuarin.
I njëjti është intervistuar nga hetuesit policorë dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale “kanosje”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.