BIK pren foton ku i shihen këmbët përfaqësueses greke që takoi Tërnava
- 05/07/2022 | 13:57
Bashkësia Islame e Kosovës në një postim në Facebook e ka prerë fotografinë origjinale të takimit të udhëheqëses së Zyrës ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Heleni Vakali me Myftiun Naim Tërnava.
Në fotografinë e prerë, këmbët e ambasadores Vakali janë “hequr” nga fotografia, pasi BIK siç duket e ka cilësuar veshjen e saj si tejet të zbuluar për t’u shfaqur në takimin me kreun e klerit mysliman të Kosovës.
“Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim udhëheqësen e Zyrës ndërlidhëse të Greqisë, ambasadoren znj. Heleni Vakali. Myftiu Tërnava e njohu mysafiren me historikun, punët dhe aktivitetet që i zhvillon institucioni i Bashkësisë Islame të Kosovës. Ai tha se BIK-u vazhdimisht ka luajtur një rol kyç në mbarëvajtjen e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare në vend. Myftiu Tërnava kërkoi nga ambasadorja Vakali një angazhim më permanent për njohjen sa më parë të pavarësisë së Kosovës nga shteti i Greqisë”, thuhet në postimin e BIK.