Çfarë po ndodh? Paralajmërohet mbyllja e të gjitha pompave të derivateve në Kosovë
Qeveria shpejt pritet ta marrë një vendim lidhur me rregullimin e çmimeve të naftës dhe benzinës, i cili sipas naftëtarëve, do t’i linte në rrugë rreth 5 mijë punëtorë. Naftëtarët po e shqyrtojnë mundësinë që t’i mbyllin pikat e derivateve në shenjë proteste.
Çmimet e naftës dhe benzinës kanë arritur në nivele rekord këto ditë dhe Qeveria pritet ta bëjë shpejt një ndërhyrje, që për naftëtarët do të ishte brutale.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar dje se është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës që do t’i “mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit”.
Naftëtarët janë mbledhur sot për të diskutuar lidhur me këtë situatë. Ata po e shqyrtojnë mundësinë e mbylljes së pikave të derivateve në shenjë proteste pas vendimit të paralajmëruar të Qeverisë.
Sipas një drafti të këtij vendimi për të cilin raportoi Buletini Ekonomik, parashihen kufizime në fitimet e naftëtarëve, nga çka çmimet aktuale të naftës dhe benzinës parashihen të bien për 12 centë.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani tha dje në Frontal të T7 se rritja e çmimeve në bursë ka bërë që në Kosovë të shtrenjtohet nafta dhe benzina.
Vendimi që pritet ta marrë Qeveria cilësohet shkatërrues nga naftëtarët. Berjani tha se kompanitë e karburanteve po punojnë me humbje edhe aktualisht, posi Qeveria mori vendim të mos iu lë më shumë se 6% fitim.
“Ju lutem. Duhet ta kuptoni se ne nuk i prodhojmë derivatet e naftës. Çmimet vijnë nga bursa BERZA dhe OPEC. Çmimi furnizues është 1.75 për litër dizel, cka do të thotë se po punojmë me marzhë të fitimit në humbje. Vendimin e kemi respektuar. Ka qenë gabim fatal ai vendim ku shumica e kompanive janë drejt falimentimit”, tha ai.
Berjani kërkoi që Qeveria ta heqë akcizën për derivatet, dhe jo ta marrë vendimin që u paralajmërua, e që sipas tij përcakton “një marzhë që i shkatërron kompanitë”.
“Nëse don t’i lënë 5 mijë punëtorë rrugëve… Ju lutem, me 4-5 cent fitim nuk mund të punojë askush. Çdo pompë e benzinës i ka deri 15-20 punëtorë. Me këto para nuk mund t’i mbajë ata”, tha Berjani.
Sipas draftit të vendimit të Qeverisë, 2 dero në 3 centë do të përcaktohet fitimi për një litër naftë për shitësit me shumicë, ndërsa 6-10 centë për shitësit me pakicë.
Ndërkaq, 10 centë pritet të përcaktohet fitimi për shitje me pakicë për subjektet që nuk importojnë.