U arrestua për dhunë ndaj bashkëshortes, suharekasi i vë flakën qelisë
Nuk janë të rralla rastet kur burrat kosovarë përfundojnë në qeli të burgut si të dyshuar për dhunë në familje. E një rast i tillë është dje në Suharekë, ku një 41-vjeçar është arrestuar pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se rastin në Polici e ka denoncuar bashkëshortja e të dyshuarit, e kjo bëri që më pas që i njëjti të arrestohet nga njësitet policore.
Në gjendje të dehur i dyshuari u shoqërua në stacion policor për intervistim, ku atij me vendim të prokurorit iu caktua masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Por ai nuk e la me kaq. Pasi u dërgua në mbajtje, 41-vjeçari ka shkaktuar zjarr në qendrën e ndalimit, duke i vënë flakën jorganit të tij.
Intervenimi i menjëhershëm i Policisë bëri që zjarri të lokalizohet dhe të fiket pa pasur pasoja në njerëz apo dëme të mëdha materiale.
Pas situatës që krijoi, ndaj tij përpos rastit ‘Dhunë në familje’, prokurori urdhëroi që të iniciohet edhe rasti ‘Zjarrvënie’.