Vjen reagimi nga Stivi Frashëri, portieri i cili u sulmua dje nga tifozët e Gjilanit
Portieri i Ballkanit, Stivi Frashëri, ka bërë të ditur se sot është duke u kontrolluar nga stafi mjekësor i klubit.
Portieri nga Korça gjithashtu ka falënderuar të gjithë për mbështetjen dhe interesimin e treguar, shkruan Gazeta Express.
“Faleminderit shumë për mbështetjen dhe interesimin tuaj. Momentalisht jam duke u kontrolluar nga stafi mjekësor i Ballkanit dhe drejtueseve në tërësi. Me një përkujdesje shembullore, sot po kryejmë edhe analizat me të detajuara për të pasur një pasqyrë të qartë të dëmtimit. Shpresoj që çdo gjë të jetë pa problem. Më vjen shume keq që nuk mundem t’iu kthej përgjigje të gjithëve. Faleminderit dhe ju dua shumë!”, ka shkruar 31-vjeçari.
Stivi Frashëri u sulmua brutalisht të dielën nga tifozët gjilanas, gjatë ndeshjes Gjilani – Ballkani, e vlefshme për javën e 27-të në Superligën e Kosovës.
Portieri i Ballkanit përfundoi pa ndjenja dhe u dërgua me urgjencë në spital, për t’u liruar më pas në orët e mbrëmjes.
Vlen të theksohet se deri më tani janë të arrestuar pesë persona për këtë rast. /Gazeta Express/