[VIDEO] Arrestohen punetoret e qendrave të masazhit nën dyshimin për prostitucion

Kosova sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2013, ka 1.8 milion banorë. Mund t’iu duket e pabesueshme por kjo popullsi, i ka në dispozocion mbi 500 qendra për mirëmbajtje trupore, apo siç njihen qendra masazhi. Ndër vite, këto qendra kanë shërbyer edhe për veprimtari të tjera të paligjshme. Gazeta Nacionale sjell detaje nga një aktakuzë për prostitucionin i cili manipulohej si masazhë, statistika nga Policia e detaje nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Nga 35 deri në 50 euro ishte shuma që merrnin punëtoret e një qendre masazhi në një nga lagjet e Prishtinës. Kjo shumë ndahej në përqindje ndërmjet pronarëve dhe punëtoreve. Qendra në fjalë kishte funksionuar deri në vitin 2020, kur shteti kishte ndërhyrë, për të ngritur një aktakuzë më pas. Detajet e kësaj aktakuze i ka siguruar gazeta Nacionale dhe sjell detaje nga rrëfimet e klientëve dhe punëtorëve, por pa ua zbuluar identitetin.

“Kam qenë shumë herë në sallonin përkatës të masazhit, pronarë të të cilit janë M.D dhe L.D. Nga punëtoret kam marrë shërbime masazhi dhe shërbime të tjera. Punëtoret e masazhit më kanë prekur në pjesët intime dhe për këtë kam paguar ekstra. Sa më kujtohet, ato kanë qenë me pseudonim K. S. dhe E”, ka treguar njëri nga klientët.

“M.D më ka ofruar disa klientë për shërbime seksuale në këmbim të parave. Disave ua kam ofruar shërbimin në fjalë. M. më kontaktonte në telefon dhe më thërriste në sallon. L. dhe M. kanë qenë gjithmonë së bashku rreth aranzhimeve. Njëri klient më ka thënë se i ka dhënë 400 euro për mua, ndërsa të tjerët më kanë thënë se kanë dhënë para për mua, por pa treguar shumën”, kishte thënë në Prokurori njëra nga punëtoret.

“Pronari më ka thënë se do të paguhesha me përqindje. Prej një masazhi që kushtonte 30 euro, unë do t’i merrja 10 euro. Nuk kam asnjë certifikatë për këtë punë. Gjatë punës, klientët kanë kërkuar shërbime ekstra. Një klient ka kërkuar këtë shërbim dhe më ka zëvendësuar masazherja A.B”, tregonte një tjetër punëtore e qendrës së masazhit në Prishtinë.

Dukuria e prostitucionit që kryhet nëpër qendra të masazhit nuk është vështirë e identifikueshme. Mjafton të kërkosh nëpër rrjete sociale, dhe të shfaqen poza të vajzave të cilat e kanë të publikuar edhe numrin e telefonit për termin, e në disa raste edhe çmimet.

Prostitucioni nëpër qendra të masazhit

Se në qendra të tilla masazhi po ushtrohen edhe veprimtari të tjera të paligjshme siç është prostitucioni, e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Policia ka konfirmuar se në tri vitet e fundit janë mbyllur 65 sallone masazhi.

Numri i personave të legjitimuar gjatë inspektimit të këtyre salloneve të masazhit per periudhën 2019 deri me tani 2022 janë gjithësej 512, ndërsa numri i të dyshuarve për kryrje të veprave të ndryshme penale si trafikim me njerëz, ofrim i lokaleve për prostitucion, mundësim apo detyrim në prostitucion dhe vepres kundervajtëse marrje me prostitucion, janë gjithësej 128 persona të dyshuar”, ka thënë Policia.

Në qendra të tilla punojnë një numër i madh i shtetasve tjerë, ku kryesojnë ata nga Shqipëria.

Nga 512 personave të legjitimuar në këto sallone masazhi  85 kane qene shtetas të huaj nga vende te ndryshme”, bën të ditur Policia për Nacionalen.

Nga të dhënat që ka siguruar gazeta, Prishtina prin me numrin më të madh të qendrave të tilla të masazhës.

Dallime në shifra ndërmjet Policisë dhe Ministrisë

Përderisa Policia e Kosovës bën të ditur se në tri vitet e fundit janë mbyllur 65 sallone të masazhit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka thënë për gazetën Nacionale se në periudhën e njëjtë janë mbyllur 24 qendra, kurse 18 janë gjobitur.

Për një vend si Kosova, fakti që ekzistojnë mbi 500 qendra masazhi, për dikënd mund të vlerësohet i pabesueshëm. Por këtë shifër e ka bërë të ditur edhe zyrtarisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Në përgjigjen për gazetën Nacionale, ata këtyre bizneseve iu janë referuar si “veprimtari për mirëmbajtje trupore”.

Por, cila është procedura deri në pajisjen me leje për qendrat e masazhit?

Si për të gjitha bizneset tjera, edhe për bizneset ne fjalë (Qendra të Masazhit), procedura e regjistrimit të biznesit është pothuajse e njejtë. Fillimisht aplikohet në ARBK për regjistrim, pasi që subjekti të jetë regjistruar duhet të aplikoj në Komunën përkatëse për t’u pajisur me pëlqimin mbi plotësimin e kushteve minimale teknike dhe higjieno sanitare. Të gjithë punëtorët që punojnë në këto qendra duhet të jenë të pajisur me libreza sanitare dhe me kontrata pune”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Ministria e Tregtisë ka treguar se këto qendra mbyllen nëse: “subjekti është i pa regjistruar dhe nëse ai nuk ka pëlqim mbi plotësim e kushteve minimale teknike dhe higjieno sanitareNë të gjitha rastet kur këto subjekte mbyllen, ndaj tyre shqiptohet dënim konform ligjit”.

Gjatë vitit 2020, për shkak të situatës me pandeminë, Inspektorati i Tregut nuk ka realizuar ndonjë aksion për mbylljen e bizneseve të tilla. Aksionet e ngjashme kryhen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante. Kur sigurohen fakte të mjaftueshme, atëherë personave përgjegjës iu vazhdohet procedimi penal conform ligjeve në fuqi.

“Në kuadër të mandatit të vetë, Inspektorati i Tregut gjithnjë verifikon nëse këto subjekte janë të pajisura me Pëlqimin e kushteve minimale teknike dhe higjieno sanitare, nëse ato janë të regjistruara, çmimoren për ofrimin e shërbimeve dhe orarin e punës.  Ndërsa çështjen e librezave sanitare dhe kontratat e punës i verifikojnë Inspektorët e Punës”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Nacionalen.

Raste të tilla për prostitucion në qendra të masazhit, gazeta Nacionale ka evidentuar se ka mjaft nëpër Gjykata. Por që procedurat zgjaten me vite, deri në një vendim përfundimtar./Nacionale.com

CATEGORIES
TAGS
Share This