Siguria kombëtare u rrezikua nga një punëtor i vetëm i AKI-së: Si ndodhi?
Në muajt korrik-gusht të vitit 2020, dhe në muajin mars të vitit 2021, siguria shtetërore dhe informacionet sekrete të shtetit, ishin vënë në rrezik seriozisht. Kjo pasi një punëtor i IT-së në Agjencinë Kosovare të Intelegjencës, kishte ndërhyrë në kompjuterët e një numri të madh punëtorësh përfshirë edhe të inspektorit të AKI-së, Burim Ramadani. Ndaj ish-punëtorit të AKI-së, Muhamet Krasniqi tashmë është ngritur një aktakuzë e të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale. Aty jepen detaje të veprimeve të paligjshme nga Krasniqi, të cilat përbënin rrezik për sigurinë e Kosovës.
Jo të gjithë mbase kanë dëgjuar për aplikacionin kompjuterik “Net Monitor for Employees Pro”. Për ata që nuk kanë njohuri, ky aplikacion mundëson monitorimin e kompjuterëve të punëtorëve nga një lokacion qendror. E pikërisht nëpërmjet kësaj metode, punëtori i IT-së në Agjencinë Kosovare për Intelegjencë, Muhamet Krasniqi arriti të ketë qasje në një numër të madh kompjuterësh të punëtorëve të AKI-së.
Duke instaluar softuerin “Veyon” në 55 kompjuterë të tjerë brenda AKI-së, Krasniqi siguroi informacione të kalsifikuara të intelegjencës deri në top-sekrete, që rrezikuan edhe sigurinë kombëtare të Kosovës. Madje, pre e këtyre veprimeve të Krasniqit, ra edhe Burim Ramadani inspektor i përgjithshëm në kuadër të AKI-së. Të gjitha këto detaje janë zbardhur në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit ndaj Muhamet Krasniqit, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Nëpërmjet këtyre veprimeve, ish-punëtori i IT-së në AKI, kishte siguruar qasje në fajlat, dokumentacionet, përgjimet, fotografitë, listat e pagave e deri te informacionet e kalsifikuara në kompjuterin e njeriut të tretë në Agjencinë Kosovare të Intelegjencës, inspektorit Burim Ramadani. Gjithnjë sipas aktakuzës, Krasniqi këto informacione i ka ndarë me një grup të dyshuar kriminal, i cili po hetohej nga Policia e Kosovës për kryerjen e veprave të ndryshme penale.
“Dosjet të cilat i janë gjetur në kompjuterin e tij në AKI, në zyrë dhe në shtëpinë e tij janë gjetur gjurmë të fajllave si: lista e pagave e punonjësve të AKI-së, gjurmë të dokumenteve të klasifikuara me njësi top-sekrete, dokumente të inspektorit të përgjithshëm që përveç se i ka pasur ai edhe i ka ruajtur, për të cilat nuk ka qenë i autorizuar dhe nuk është dashur të nxjerren jashtë ambienteve të AKI-së. Këto ia ka dhënë një grupi kriminal”, thuhet në aktkauzën që e ka siguruar Gazeta Nacionale.
Në këtë formë përveç pajisjeve teknologjike, ish-punëtori i AKI-së dyshohet se ka keqpërdorur informatat rreth video-monitorimittë objekteve të këtij institucioni, është future në këtë system dhe madje ka fotografuar dy persona brenda zyreve të AKI-së. Gjitha këto informacione ai ua ka shpërndarë një grupi të përbërë nga tre persona, identitetin e të cilëve gazeta nuk do ta publikojë.
Gjithë veprimet e tij, ish-punëtori i Intelegjencës i ka arsyetuar se ka pasur presion nga ky grup që prokuroria e ka cilësuar si kriminal. Madje, kjo vërtetohet edhe nga dëshmia që inspektori i përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani, e ka dhënë në Prokurorinë Speciale.
“Punonjësi fillimisht është njoftuar për dyshimet, dhe e ka mohuar se ekziston një program i tillë. Pastaj ka thënë se këtë program e ka instaluar për të parë të metat e sistemit në AKI. Punëtori e ka konfirmuar se këtë program e ka të instaluar edhe në shtëpi dhe pastaj na ka sjellë 3 laptopa, 3 USB dhe 2 hard-diska në objektin e AKI-së. Muhamedi e ka konfirmuar se të afërmit e tij po i kërkonin informacione nëse janë të hetuar nga AKI-ja apo Policia. Ai e ka thirrur në telefon A.K dhe i ka thënë të ruhet sepse është në përcjellje të AKI-së. Këtë e ka shpjeguar se ka pasur kërcënime dhe nuk ka guxuar t’i tregojë askujt”, kishte thënë Burim Ramadani para prokurorit të rastit kur ishte intervistuar.
Në një pjesë të aktakuzës zbardhet edhe një pjesë e bisedës që prokurori e kishte bërë me inspektorin Ramadani, dhe mundësisë që këto informacione të përbënin rrezik për sigurinë e Kosovës.
Prokurori: “Në bazë të njohurive tua si punonjës i AKI-së, marrja përkatësisht tërheqja e këtyre informacioneve deri te informatat e klasifikuara a mund t’i shërbejë ndonjë interesi kriminal apo të një shteti armiqësor në raport me republikën tonë?”
Burim Ramadani: “Qasja kretësisht e paautorizuar e këtij ish-punonjësi në ato informacione, paraqesin rrezik të potencialit të lartë të sigurisë, AKI-së, punëtorëve të AKI-së, dhe sigurisë kombëtare, pavarësisht se për çfarë motivi janë mbledhur ato”
Muhamet Krasniqi dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, hyrje në sistemet kompjuterike e zbulim të informacioneve konfidenciale. Për gjitha këto pretendime të Prokurorisë, vetë i akuzuari është deklaruar i pafajshëm. Ai është në paraburgim që nga 18 nëntori i vitit 2021, përderisa Prokuroria ka kërkuar që kjo masë t’i vazhdohet të dyshuarit.
Personi i përmendur në këtë tekst është pjesë e dosjes së prokurorisë, dhe prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të gjykatës./Burimi: Nacionale.com