LAJMI I FUNDIT: Centrali më i madh bërthamor në Europë në flakë nga sulmet ruse
Centrali bërthamor Zaporizhzhia, i cili njëherësh është dhe më i madhi në Europë, ka marrë flakë pas sulmeve nga forcat ruse, transmeton Gazeta Metro.
Ka qenë ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i cili përmes një postimi në Twitter, në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ka bërë të ditur se ushtria ruse po qëllonte nga të gjitha anët mbi NPP Zaporizhzhia, termocentrali më i madh bërthamor në Europë.
“Ushtria ruse po qëllon nga të gjitha anët mbi NPP Zaporizhzhia, termocentrali më i madh bërthamor në Europë. Zjarri tashmë ka rënë. Nëse shpërthen, do të jetë 10 herë më i madh se Çornobili! Rusët duhet të pushojnë MENJËHERË zjarrin, të lejojnë zjarrfikësit, të krijojnë një zonë sigurie’, shkruan Kuleba në Twitter.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, po bën thirrje për ndihmë urgjente pas raportimeve se forcat ruse kanë bombarduar centralin bërthamor të Zaporizhzhia në Ukrainë.
Në një adresim urgjent nga Kievi, në orët e para të mëngjesit të 4 marsit, Zelensky paralajmëroi për një fatkeqësi të mundshme bërthamore.
“Europianë, zgjohuni të lutem. U thoni politikanëve tuaj se forcat ruse po qëllojnë në centralin bërthamor në Ukrainë”, tha ai.
Menjëherë pas këtij sulmi rus mbi termocentralet bërthamore, Presidenti i SHBA Joe Biden, ka telefonuar presidentin ukrainas Zelensky, ndërsa Shtëpia e Bardhë vazhdon të monitorojë zjarrin e raportuar në termocentralin bërthamor Zaporizhzia, raporton cnn.
Objektet bërthamore të Ukrainës kanë qenë një pikë qendrore shqetësimi pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, i cili filloi të enjten e kaluar.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), uzina e Zaporizhzhia është termocentrali më i madh bërthamor i Ukrainës, që përmban gjashtë nga 15 reaktorët e energjisë bërthamore të vendit.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha në një postim në Tëitter se “është në dijeni të raporteve për granatimet në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia” dhe se ishte në kontakt me autoritetet ukrainase për situatën.
‘Të ndalohet sulmi, rrezik i madh nëse flakët prekin reaktorët’, shkruan IAEA në Twitter./gazetametro.net