Agresioni rus në Ukrainë, ekspertët flasin për ndikimin që mund ta ketë në Kosovë
Mëngjesin e së enjtes, Rusia ka nisur operacionet ushtarake në Ukrainë. Deri më tani dhjetëra civilë kanë humbur jetën, kurse autoritetet ukrainase kanë njoftuar se edhe trupat ruse kanë pësuar humbje të mëdha si në njerëz ashtu dhe në makineri.
Krerët e shteteve anembanë globit denoncuan me shpejtësi sulmin në shkallë të plotë të Rusisë ndaj Ukrainës, ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se rusët sulmuan pabesisht shtetin e tij në mëngjes, siç bëri Gjermania naziste në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Agresionin rus në Ukrainë e kanë dënuar edhe krerët e institucionet e Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, ku thuhet se Republika e Kosovës dënon fuqishëm agresionin ushtarak dhe invadimin e Ukrainës nga Federata Ruse që shpërfaqë hapur qëllimin rus për të minuar të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar si shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. Gjithashtu, Republika e Kosovës dënon njohjen ilegale të “pavarësisë” së regjioneve ukrainase të Luhanskut dhe Donetskut nga ana e Federatës Ruse.
Për situatën në Ukrainë për Telegrafin është deklaruar ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati.
Kastratit ka thënë se Rusia është duke pushtuar vendet më strategjike të Ukrainës.
Kastratit ka thënë se kriza në Ukrainë mund të ketë ndikim edhe në Ballkanin Perëndimor, pasi që Rusia në vazhdimësi ka investuar në ngritjen e tensioneve në rajon.
“Sa i përket ndikimit në Kosovë, ne gjithë e dimë që me vite të tëra Rusia është duke investuar jashtëzakonisht shumë në ngritjen e tensioneve në Ballkan, për shkak se dëshiron të jetë prezente në rajon dhe nuk dëshiron që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë anëtare të NATO-s. Rusia është duke ndikuar përmes agjenteve të vet dhe shtetit serb, ta mbajë Kosovën dhe Bosnjën të destabilizuar”, potencoi ai.
Sipas Kastratit, Kosova është dashtë të ndërmarrë masa më herët dhe të kërkojë që ushtria të jetë e armatosur.
“Unë mendoj që jemi vonuar shumë. Kryeministri Kurti ka thirrur në mbledhje Këshillin e Sigurisë Kombëtare, por kjo është dashtë të ndodhë më herët, qysh nga konferenca e Mynihut. Ai atje është dashur të takohet me liderët e huaj, dhe të flasë për situatën në Ukrainë, e cila mund të ndikojë edhe në Ballkan, të bëjë kërkesa për armatosje të ushtrisë, policisë. Dhe Kosova të përgatitet mirë që nëse ndodhë një gjë, sikurse ka ndodhur edhe në Ukrainë, të jetë e gatshme të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial. Gjithashtu unë kam prit që Qeveria të jetë 100 për qind e koordinuar me NATO-n dhe diplomacia të jetë më e përgatitur, që të mos lejojë që Kosova të vjen në situatë që mund të rrezikohet veriu”, theksoi Kastrati.
Ndërsa, njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka thënë se sot është dita që do të kujtohet se si Rusia, në krye me presidentin Putin, ka thyer aktet dhe ligjet ndërkombëtare, duke sulmuar një shtet sovran, si Ukraina.
“Diçka e tillë nuk ka ndodh që nga Lufta e Dytë Botërore, një akt agresioni ndaj një shteti sovran. Pasojat e këtij sulmi do të ndihen jo vetëm në Ukrainë dhe në Rusi, por tashmë do të fillojë bota demokratike që ta ndëshkojë me sanksione. Besoj që ky sulm do të ndikojë në aspektin ekonomik dhe jo ushtarak në Ballkan”, është shprehur Islami, për Telegrafin.
Islami thotë se nuk beson që kriza në Ukrainë do të ndikojë në Kosovë, pasi që edhe janë të vendosura trupat e NATO-s.
“Duke pasur parasysh që Serbia në një farë forme luan rolin e satelitit të Rusisë, dhe përpiqet të ruajë balancat edhe me Evropën edhe vendet fqinje, unë nuk shohë një tërheqje të paraleles dhe duke pasur parasysh që në Kosovë janë forcat e NATO-s, që është përgjegjëse për ruajtjen e sovranitetit, dhe çdo lloj agresioni ndaj Kosovës do të ishte agresion ndaj NATO-s. Për fat të keq Ukraina nuk e ka këtë privilegj, të cilin e ka Kosova. Duke pasur parasysh që Kosova është e rrethuar nga vendet që janë pro-perëndimore, përjashtuar Serbinë, nuk shoh rrezik që mund të eskalojë në Ballkan, për shkak të pozitbs së saj gjeografike të Kosovës nuk mund të ketë rrezik”, shtoi ai.
Islami tha se Rusia po përpiqet të ndërtojë një rend të ri botëror.
“Rusia po përpiqet të ndërtojë rend të ri botëror. Për një kohë të gjatë ka humbur influencën e saj dhe tendenca e Rusisë është të kthejë botën në dy blloqe, në kohën e ish Bashkimit Sovjetik. Unë besoj që ajo nuk do të arrihet”, potencoi ai.
Ndryshe, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dënoi të enjten sulmet ajrore dhe sulmet e Rusisë ndaj vendit të tij nga tre drejtime, ndërsa shpërthimet tronditën kryeqytetin, Kiev, dhe qytete të tjera.
Agresioni rus në Ukrainë ka bërë që të mbajnë një takim virtual shtatë shtetet më të industrializuara të botës perëndimore.
Në një deklaratë të përbashkët pas takimit virtual, udhëheqësit e G7 thanë se presidenti rus Vladimir Putin ka “rifutur luftën në kontinentin evropian”.
“Ai e ka vënë veten në anën e gabuar të historisë”, shkruan në deklaratën e udhëheqësve të G7