Një vit nga “14 shkurti”, Haziri: Kurti i pavendosur, prisja udhëheqje ndryshe nga Osmani
Sot bëhen një vit nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës ku Lëvizja Vetëvendosje, së cilës iu bashkua edhe Lista Guxo e Vjosa Osmanit, arritën një rezultat të paparë deri atëherë në Kosovë, duke marrë shumicën në Kuvend.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, vitin e parë të qeverisjes së Kurtit e konsideron me pavendosmëri në udhëheqje dhe hezituese në politikat ekzekutive. Ai flet edhe për rolin e presidentes Vjosa Osmani në skenën politike dhe procesin e reformave në LDK. Për dialogun me Serbinë, ai kërkon konsensus të brendshëm politik.
Haziri, në një intervistë për KosovaPress, thotë se qeveria vitin e saj të parë e ka shfrytëzuar më shumë për t’u ankuar për të kaluarën se sa për të zgjidhur problemet që ka vendi. Sipas tij, dëshpërimi do të fillojë së shpejti pasi gjithçka që ka qenë pritje e madhe nuk është realizuar.
“Me plot hezitime dhe pavendosmëri në udhëheqjen dhe lidershipin që qeveria e ka në zbatimin e detyrave ekzekutive. Hezitime të mëdha në proceset e mëdha që vendi ka dhe kjo qeveri duhet t’i shtyjë përpara. Natyrisht ka pasur më shumë përpjekje për të kamufluar dhe ankuar të kaluarën se sa përpjekje serioze për të zgjidhur probleme sistemore. […] Gjithçka që ka qenë pritje e madhe nuk është realizuar, ndoshta njerëzit janë në pritje, por faza e dëshpërimit do të fillojë shumë shpejtë dhe ai do të jetë shumë i madh”, thotë ai.
Nënkryetari i LDK-së thotë se ka pritur udhëheqje ndryshe edhe nga presidentja Vjosa Osmani.
“Kam pritur ndryshe, kam prit reagim dhe udhëheqje krejt ndryshe në presidencë, por këtu jemi. Pas një viti LDK ndihet në sfatisfaksion të plotë për rolin e vet pozitiv në zgjedhjen e presidentes dhe largimin e krizave të paralajmëruar politike. Pasi ne e kemi kuptuar prej fillimit se në këtë shumicë parlamentare prodhojnë kriza për t’i mbuluar problemet. E vetmja mënyrë për ta larguar vëmendjen e qytetarëve prej problemeve ditore është prodhimi i krizave. A ndihem i dëshpëruar? Nuk e di çka të them, por edhe më tutje besoj se ka hapësirë dhe kohë të ndryshojë. Presidentja duhet të përfaqësojë interesin e të gjithë qytetarëve pa dallim moshe, pa bindje politike dhe etnie. Duhet me qenë e barabartë e drejtë në zbatimin e detyrave kushtetuese”, thotë ai.
Lidhur me procesin e reformave në LDK, Haziri thotë se pas zgjedhjeve lokale janë në një fazë të zhvillimit të ri.
“Jemi në një fazë të zhvillimit të ri në LDK pas zgjedhjeve lokale dhe jemi në grupin e parë të degëve dhe komunave që po merremi me zgjedhjet e jashtëzakonshme. Zgjedhjet që shkojnë në një strukturimi të ri duke eliminuar dobësi dhe problemet që janë gjetur në këto struktura”, përfundon ai.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Haziri thotë se ka qenë një vit i humbur pa arritur diçka konkrete. Ai thekson se institucionet kosovare pas zgjedhjeve në Serbi duhet të jenë të gatshme të përmbyllin marrëveshjen finale me Serbinë. Rrjedhimisht, sipas tij duhet të ndërtohet një konsensus i brendshëm politik për dialogun.
Ai thotë se kërkesa e Serbisë për themelimin e Asociacionit në bazë të marrëveshjes së origjinës, pa ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese, është e papranueshme dhe pazbatueshme.
“Kemi dy emisarë dhe një ndërmjetës ndërkombëtarë që po merren me problemin e Kosovës. Ne nuk jemi i vetmi problem në botë dhe duhet të vendosim në prioritet të parë dhe duhet të ndërtojmë konsensus të brendshëm përmes një dialogu shumë shpejtë dhe duhet të bëhemi gati për një verë të shpejtë e cila domosdoshmërish ka me nxjerr çështjen me prioritet ndërkombëtar dhe ne duhet të jemi të gatshëm ta përmbyllim. […] Natyrshëm që ka frikë pasi kjo parti që është në qeveri ka mbjell frikë dhe për procesin e dialogut dhe për nevojën e negocimit me Serbinë, ka kundërshtuar politikisht me çdo mjet ndërsa ka mbjell frikë te qytetarët se po ndodh ‘bosnjëzimi’ dhe është përdorë protesta për me ndalë. Tani është në qeverisje, është duke u ballafaquar me procesin e njëjtë dhe duhet të shkojë përpara. Zhvillimi i vetëm është se ne fajësohemi për mos ecje përpara, përkundër që Serbia kërkon që marrëveshja e Brukselit për Asociacion të zbatohet si marrëveshje e origjinës pa ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është e papranueshme dhe pa zbatueshme dhe fundja është vendim edhe është pjesë e marrëveshjes ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese. Pasi ajo që ka bërë është adaptim i marrëveshjes në frymën kushtetuese, nuk e ka ndryshuar strukturën dhe përmbajtjen e marrëveshjes”, shton Haziri.
Haziri kritikon Qeverinë e Kosovës për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Vendimin e tillë e konsideron të papërballueshëm për qytetarët dhe paralajmëron se rritja e çmimit të energjisë do t’i prekë shumë shpejt edhe bizneset. Megjithatë, numri dy i LDK-së thotë se kundërshtimi opozitar do të jetë vetëm brenda institucioneve, pasi kur dalin në protesta nuk kthehen në institucione.
“Vokacioni ynë është dialogu dhe institucioni. LDK e ka historinë e saj të rezistencës aktive paqësore kundër të tjerëve që kanë cenuar qenien tonë. Ne kur dalim në rrugë nuk kthehemi. Deri atëherë në një situatë të vlerësimeve të tjera, ne do të vazhdojmë brenda institucioneve dhe strukturave të LDK-së. Përmes tyre dhe politikave sektoriale dhe kontakte me qytetarë për të vazhduar presionin, kundër një rezistence të qeverisë, pasi ata janë pozicionuar me ZRrE-në dhe ata që kanë kërkuar shtrenjtimin e rrymës që është KEDS që nuk po dëshiron të rrezikojë kompaninë e vet dhe asnjë lloj humbje. As qeveria nuk po dëshiron të rrezikojë dhe subvencionon më shumë energjinë. Ne do të vazhdojmë të bëjmë funksionin tonë opozitar në tri nivele, por në rrugë institucionale. Protesta paqësore që ka drejtë çdo qytetarë është vokacion i partive të tjera, por jo LDK-së”, deklaron Haziri.
Vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike, Haziri e sheh edhe si diskriminues, pasi një pjesë e territorit të Kosovës ka mbetur jashtë tarifave të reja.
“Tani rëndohet kuleta e qytetarit dhe popullatës, kjo e bën të papërballueshme me tarifën e re që pritet të aplikohet. Tash gjatë muajve mund të zbehet për shkak të kushteve klimatike, por do të ballafaqohemi me një shtrenjtim që është i rëndë për qytetarë. Në anën tjetër paralajmërimi për rregullimin e ambientit të energjisë për prodhuesit, apo liberalizimin e tregut për prodhuesit dhe ekonomitë. Kjo është paralajmërim kërcënues sepse do të jetë i papërballueshëm nëse në mars e tutje ZRrE-ja aplikon këto vendime që janë në regjion duke u diskutuar dhe zbatuar. Me vet faktin se qeveria ka heshtur dhe nuk ka folur asgjë, e ka përjashtuar për momentin dhe nuk ka debatuar tregon qartë për hapin e dytë do të jetë energjia çështja dhe kriza që do të flasim. Hapi i tretë është se një pjesë e territorit të Kosovës ka mbetur jashtë tarifave, e cila është politikë diskriminuese”, thotë ai.
Angazhim institucional kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike kanë paralajmëruar edhe dy partitë e tjera opozitare, Partia Demokratike e Kosovës si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.