Zhvillime të reja në dialog? Lajçak vjen sot në Kosovë

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak sot do të qëndrojë në Kosovë.

Këtë e konfirmoi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Këto vizita kanë për qëllim përparimin në përgatitjet për takimin e radhës në nivel të lartë për të cilin ende shpresojmë që do të mbahet më vonë gjatë këtij viti”, deklaroi Stano.

Stano kujtoi që në takimin e fundit i cili u mbajt më 15 nëntor, ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së, kërkuan nga Kosova dhe Serbia respektimin e marrëveshjeve të arritura.

Duke u ndërlidhur me këtë, Stano theksoi që kjo nënkupton edhe respektimin e marrëveshjes lidhur me vizitat e zyrtarëve të lartë të Beogradit në Prishtinë dhe anasjelltas, që u arrit në kuadër të dialogut

Më 23 nëntor, Qeveria e Kosovës sërish refuzoi kërkesën e shefit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq që ta vizitojë Kosovën.

Bazuar në të dhënat që posedon BE-ja, Stano theksoi se vizita ishte paralajmëruar me kohë dhe procedurat ishin në përputhje me marrëveshjen.

Vizita e Miroslav Lajçakut në Prishtinë vjen pas qëndrimit të tij edhe në Beograd ku ishte takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

CATEGORIES
TAGS
Share This