Shoqata e Gastronomëve: Jemi të të njëjtit mendim me ministrin, diskriminimi i komuniteteve është i padrejtë
Dje, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, bëri thirrje që të bojkotohen lokalet në të cilat nuk lejohet hyrja dhe shërbimi për personat e komuniteteve romë, egjiptianë dhe ashkalinj, duke kërkuar që të mos mbështeten personat me ngarkesa raciste.
Në një mendje me ministrin Krasniqi është edhe Shoqata e Gastronomëve, e cila e ka vlerësuar si të padrejtë diferencimin e klientëve në baza etnike.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Arian Vranica, zyrtar ligjor i kësaj shoqate, tha se si shoqatë nuk janë në dijeni të një dukurie të tillë, por e vlerësojnë si të padrejtë këtë diskriminim dhe cilësojnë se racizmi nuk lidhet me gastronominë, por me mentalitetin dhe edukatën e individëve.
Jo, nuk jam në dijeni, nuk kam kurrfarë informate. E kam pa deklaratën. Mendoj që nuk është e drejtë diferencimi i personave ose klientëve në bazë të komuniteteve, secilit duhet t’i takojë e drejta për me pasë qasje të lirë, kështu që jam i mendimit të njëjtë me ministrin dhe është e padrejtë diskriminimi i tillë.”
“Faktikisht do ta diskutojmë këtë gjë, do ta mbajmë një mbledhje, në rend të ditës duhet të ceket që është diçka shumë shqetësuese, nuk është ekskluzivisht që lidhet me gastronominë në vijë të parë, por lidhet fatkeqësisht me mentalitetin, kulturën dhe edukatën tonë”, tha Vranica