Gjermania me rekord të ri, Instituti “Robert Koch” paralajmëron për shtretërit në spitale

Instituti “Robert Koch” të enjten raportoi 65.371 raste të reja me Covid-19 në Gjermani, duke shënuar rekord të ri që nga fillimi i pandemisë.

Drejtori i këtij instituti, Lothar Wieler, paralajmëroi se vendi përballet me “Krishtlindje vërtet të tmerrshme”, nëse nuk merren masa për ta luftuar rritjen e madhe të numrit të rasteve.

“Tash për tashmë po shkojmë drejt një urgjence serioze. Do të kemi Krishtlindje vërtet të tmerrshme, nëse nuk marrim kundërmasa tani”, tha ai.

Sipas tij, Gjermania ka nevojë që ta rrisë shkallën e vaksinimit dukshëm në mbi 75 për qind, nga 67.7 për qind sa është tani. Disa rajone në Gjermani shkallën e vaksinimit e kanë shumë më të ulët, për shembull, 57.6 për qind.

Wieler paralajmëroi se spitalet në mbarë Gjermaninë po kanë vështirësi për të gjetur shtretër për pacientët me Covid-19 dhe për ata me sëmundje tjera.

Agjencia “Associated Press” raporton se Wieler gjithashtu bëri thirrje për mbyllje të bareve e klubeve të natës, ndalim të organizimeve të mëdha dhe kufizim të qasjes në shumë fusha të jetës publike vetëm për personat që kanë certifikata vaksinimi ose certifikata për kalimin e sëmundjes.

Ligjvënësit gjermanë të enjten do të diskutojnë për masat që do t’i zëvendësonin rregullat mbarëkombëtare të gjendjes emergjente, afati i së cilës skadon në fund të këtij muaji.

CATEGORIES
TAGS
Share This