Mërgata kosovare e treta në botë për dërgimin e parave në vendin e origjinës
Diaspora kosovare është renditur e treta në botë sa i përket dërgimit të parave në vendin e origjinës në vitin 2021.
Sipas vlerësimeve nga përmbledhja e Bankës Botërore për Migrimin dhe Zhvillimin, niveli i remitencave ka qenë 16.7 për qind e GDP-së.
Sipas tabelës së Bankës Qendrore, nga periudha janar – gusht gjithsej 860.4 milionë është vlera e dërgesave nga jashtë vendit për në Kosovë.
Në anën tjetër, përmbledhja e Bankës Botërore për Migrimin dhe Zhvillimin që u publikua sot thotë se remitecat drejt vendeve me të hyra të ulëta dhe të mesme pritet të jenë rritur për 7.1 për qind, duke kapur vlerën prej 587 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2021,
Sipas vlerësimeve të tyre, ky kthim në rritje është më i fuqishëm se vlerësimet më të hershme dhe vjen në vazhdën e reziliencës së flukseve në vitin 2020, kur remitancat ranë për vetëm 1.9 për qind, përkundër recesionit të rëndë global për shkak të COVID-19.
Tutje thonë se për të dytin vit radhazi flukset e remitencave drejt vendeve me të hyra të ulëta dhe të mesme (përjashtuar Kinën) pritet ta tejkalojnë shumën e investimeve të huaja direkte (IHD) dhe të ndihmës së huaj zhvillimore.
Kjo nënvizon rëndësinë e remitencave si mjet shpëtimi me rëndësi kritike, sepse ato mbështesin shpenzimet e amvisërive për artikuj esencialë, si ushqimi, shëndeti dhe arsimi, gjatë periudhave të vështirësive ekonomike në vendet e origjinës së migrantëve.
Flukset e remitencave nga emigrantët u janë shtuar bindshëm programeve për transfere të parave të gatshme të zbatuara nga qeveritë si mbështetje për amvisëritë që vuajnë nga vështirësitë ekonomike gjatë krizës së COVID-19. Lehtësimi i fluksit të remitencave për sigurimin e ndihmës për buxhetet e rënduara të amvisërive duhet të jetë komponent kyç i politikave të qeverive për mbështetjen e rimëkëmbjes globale nga pandemia”, u shpreh Michal Rutkowski, drejtori global i Bankës Botërore për Mbrojtjen Sociale dhe Vendet e Punës.
Faktorët që kontribuojnë në rritjen e fortë të remitencave janë vendosmëria e migrantëve për t’i mbështetur familjet e tyre në kohë nevoje, ndihma e siguruar nga stimujt fiskalë dhe programet për mbështetje të punësimit të zbatuara në vendet e destinacionit, të cilat e kanë mbështetur aktivitetin ekonomik.
Remitencat shënuan rritje të fortë në shumicën e rajoneve.
Ato pritet të vazhdojnë të rriten për 2.6 për qind në vitin 2022 në përputhje me parashikimet makroekonomike.