Paralajmëron infektologu: Rritja e numrit të të prekurve në botë rrezikon edhe Kosovën
Tubimet e shumta që kanë ndodhur gjatë fushatës duke mos respektuar masat antiCOVID shihen si rrezik për rritje të rasteve në vendin tonë nga njohësit e kësaj fushe. Apelohet që qytetarët të vaksinohen për tu mbrojtur nga ky virus. Ndërkohë sot, katër persona kanë rezultuar pozitiv me koronavirus në Kosovë. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar tetë pacientë. Numri aktual i rasteve aktive është 424.
Pas raportimeve për shpërthimin e koronavirusit nëpër vende të ndryshme të botës, një gjë e tillë mund të ndodh edhe në vendin tonë. Kështu thonë njohësit e kësaj fushe.
“Delta por edhe Delta + COVID-19 pasi veç është në vendin tonë e pranishëm mund të reflektojë në kuptimin e rritjes së infeksioneve në nivel të vendit prapë falë edhe masave të cilat fare ose shumë pak nuk ishin respektuar. Është e çuditshme se si IKSHPK nuk reagon ndaj këtyre masave të cilat nuk respektohen”, thotë për RTK-në infektologu Hamdi Ramadani.
Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë se përqindja e vaksinimit në vendin tonë nuk është e kënaqshme dhe për këtë duhet të respektohen masat, prandaj qytetarët duhet tu drejtohen qendrave të vaksinimit sepse kjo është mënyra e vetme për tu mbrojtur nga COVID-19.
Ramadani thotë se edhe numri i testimeve duhet të jetë më i madh se tani.