Milani fiton në fund ndaj Bolognës, lider në Serie A
Milani ka marr një fitore shumë të rëndësishme si mysafir ndaj Bolognas me rezultat 4-2, në një ndeshje që kishte gjithçka brenda saj.
Ndeshja mes Bolognas dhe Milanit e vlefshme për javën e 9-të të Serie A, doli të jetë shumë interesante dhe e vështirë për kuqezinjtë edhe pse u mendua fillimisht se do të kalonin lehtë.
Kuqezinjtë në rastin e parë të mirë para porte, arritën të shënonin gol.
Rafael Leao ishte ai që gjeti rrjetën për 1-0 në minutën e 18-të të ndeshjes
Bologna mbeti me 10 lojtarë kur Adama Soumaoro u ndëshkua direkt me karton të kuq.
Milani shtoi epërsinë në 2-0 në minutën e 35-të me Davide Calabrian, që ishte edhe goli i fundit në pjesën e parë.
Me të filluar pjesa e dytë, Bologna arriti të kthehej në lojë. Zlatan Ibrahimovic gjeti rrjetën, por jo të duhurën, pasi në tentim për ta larguar një top me kokë, ai e qëlloi portën e tij për 2-1 në minutën e 49-të.
Vetëm tre minuta më pas Musa Barrow shënoi për 2-2, duke ngritur në këmbë tifozët në “Renato Dall’Ara”.
Vendasit mbetën me nëntë lojtarë në fushë, pasi edhe Roberto Soriano u ndëshkua direkt me karton të kuq.
Në minutën e 84-të, Milani ktheu epërsinë, me Ismael Bennacer që shënoi gol të bukur për 3-2.
Në minutën e fundit të kohës së rregullt Ibrahimovic vendosi rezultatin përfundimtar të ndeshjes, duke shënuar për 4-2.
Milani me këtë fitore ngjitet në vendin e parë me 25 pikë, por me një lojë më shumë se Napoli.