MSH tregon kur pritet rishqyrtimi i masave antiCOVID në Kosovë
Ndonëse ka filluar të ketë rënie të rasteve pozitive me COVID-19 si dhe atyre të vdekjes, masat kundër këtij virusi vazhdojnë të jenë në fuqi.
Analiza e situatës epidemiologjike në vend do të bëhet këto ditë, të paktën kështu kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë e cila tashmë drejtohet nga u.d ministrja, Dafina Gexha.
Ndërsa, varësisht nga të dhënat që do të dalin nga analiza e situatës epidemiologjike në vend, ashtu edhe do të ndryshohen masat.
Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë, duke folur për Radio Kosovën tha se kjo ministri do të bëj analizë dy javore te situatës epidemiologjike nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, dhe varësisht nga rekomandimet që dalin, pritet që javën tjetër të bëhet rishqyrtimi i masave në fuqi kundër COVID-19.
‘’Nuk dihet ende cilat masa mund te ndryshohen, ndërkohe që MSh u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë mundësinë dhe të vaksinohen kundër COVID-19, meqë, në disa shtete tashmë janë regjistruar raste të variantit Delta plus të SARS COV-2’’, ka thënë Hoti.
Nga 24 shtatori Kosova vazhdon ti ketë masat kufizuese kundër përhapjes së infeksionit me COVID-19. Por bartja e maskës në hapësira të hapura dhe ora policore, sipas ekspertëve të fushës së mjekësisë po konsiderohen si të panevojshme.
Kujtojmë që gastronomët kanë paralajmëruar që deri të premten në qoftë se nuk ndryshojnë masat ata do të dalin në protestë.