Ballkani dhe Malisheva ndahen në paqe
Ka përfunduar edhe xhiroja e gjashtë në Superligën e Kosovës, shkruan Sinjali Sport.
Në këtë javë është zhvilluar derbi më i madh lokal në vendin tonë.
Gjilani e ka mposhtur Dritën si vendase në “Fadil Vokrri” me rezultat minimal 0-2.
Takim i zhvilluar në Prishtinë u përmbyll me fitoren e skifterëve, pas golit fantastik nga gjuajtja e lirë prej Gerhard Prognit në të 66-ën minutë dhe të Shend Kelmendit nga kundërsulmi në minutën e 89-të.
Me këtë fitore mysafirët ngritën në pozitën e pestë me nëntë pikë, derisa intelektualët kanë 11 pikë në vendin e tretë.
Ndeshje tjetër e ditës ishte ajo mes Feronikelit e Prishtinës, me kampionët në fuqi që arritën të deklasojnë vendasit me rezultat 0-4.
Kjo fitore e bardhëekaltërve i largoi nga zona e kuqe, ku me tetë pikë janë në pozitën e gjashtë, kurse Industrialistët kanë gjashtë pikë në pozitën e shtatë.
Duel interesant ishte edhe mes Ballkanit e Malishevës, që përfundoi baras 0-0.
Dy skuadrat në fjalë kryesojnë në elitën e futbollit kosovar, me Ballkanin që ka 12 pikë në krye, kurse Malisheva me 11 pikë si e dyta. /Gazeta Sinjali Sporti/