Prioritetet e kandidateve gra për Asamblenë e Suharekës

Kandidatet gra për Kuvendin Komunal të Suharekës, në Debat Pernime kanë dhënë premtimet dhe prioritetet e tyre nëse marrin mandat nga zgjedhjet e 17 tetorit.

Kandidatja për asambliste në Komunën e Suharekës, nga Nisma Socialdemokrate, Antoneta Berisha, në Debat Pernime ka dhënë premtimin dhe idenë e saj për zonën e quajtur “Damper” në Suharekë.

“Disa nga problemet që i kemi në plan-program që kisha pas dëshirë t’i shtjellojë është zona Damper. Është një zonë që do ta zhvillonte ekonominë, është një qendër tregtare madhore, ku të gjitha qendrat i kisha vendos në këtë zonë të quajtur ‘Damper’, për arsye se qyteti do të merr frymë më lirshëm”, tha ajo.

Kurse, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për asambliste të Suharekës, Bulëza Kuçi tha se prioritet do të kenë ndihmën për gratë.

“Gratë në biznese do të përkrahen, jam shumë e sigurt se do ta gjejmë përkrahjen nga kryetari, gratë të cilat kanë ide për të filluar ndonjë biznes të ri gjithashtu do të përkrahen. Gratë të cilat kanë sëmundje të rënda do të subvencionohen”, tha ajo.

Kuçi shtoi se do të rrisin buxhetin për strehimoren e grave që kanë pësuar dhunë, që gjendet në Prizren, por që aty strehohen edhe gratë nga Suhareka. Sa i përket fushës së arsimit, ajo tha se synojnë që të gjitha shkollat e kësaj komune të punojnë në një ndërrim.

Kandidatja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për asamblenë e Suharekës, Mimoza Bajraktari tha se prioritet do ta ketë sektorin e shëndetësisë.

“Pasi që unë jam punëtore shëndetësore, prioriteti im është që të jap kontributin tim në shëndetësi sidomos të përkrahen punëtorët shëndetësorë, të rritet morali i tyre e të përkrahen në kohën e pandemisë, të dëgjohen punëtorët shëndetësorë. Do t’i çojmë përpara zotimet që i kemi bërë”, theksoi ajo.

Ndërsa, Pranvera Berisha, kandidate për asambliste  nga “Lista Guxo”, tha se do të luftë nepotizmin dhe klientelizmin.

“Objektiv i imi i vetëm do të jetë trajtimi i barabartë antinepotizëm dhe antiklientelizëm në qeverisjen lokale. Do të mundohem që t’i jap fund kësaj dukurie negative. Në vend të klientelizmit ne do të zbatojmë barazinë dhe në vend të referencave partiake ne do t’i japim referencë interesat e qytetarëve”, u shpreh ajo.

Kurse, kandidatja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Ramaj tha në Debat Pernime se ka për qëllim zhvillimin e Zonës industriale.

“Ajo që duhet me u cekë është zhvillimi i Zonës Industriale të Shirokës dhe Samadraxhës. Sepse mendoj që rritet punësimi me zhvillimin ekonomik të këtyre dy zonave”, theksoi ajo.

Në fund, edhe kandidatja për asambliste nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valmira Kryeziu tregoi prioritete kryesore të saj.

“Një ndër prioritetet kryesore që i kam hy politikës është arsimi dhe punësimi. Një ndër kryesoret është punësimi me librezë partiake dhe familje me ndikim në komunën tonë nga të gjitha partitë. Shpresoj që ndonjëherë ka me u ndaj kjo gjakderdhje”, u shpreh ajo.

https://facebook.com/watch/live/?v=277650424177338&ref=watch_permalink&_rdr
CATEGORIES
TAGS
Share This