DOKUMENT/ Pronat për shpronësimin e të cilave Murati akuzon Haradinajn se keqpërdori miliona euro

DOKUMENT/ Pronat për shpronësimin e të cilave Murati akuzon Haradinajn se keqpërdori miliona euro

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murat, ka akuzuar sot Qeverinë Haradinaj, për keqpërdorimin e mbi 43 milionë euro për shpronësimin e pronave për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Pejë, raporton Gazeta Sinjali. 

Murati në një konferencë për media, prezantoi sot një dokument, i cili sipas tij shfaq gjetjet e auditorit të brendshëm të kësaj ministrie për keqpërdorimit që dyshohet se janë bërë me rastin e ndarjes së buxhetit për shpronësimin e disa pronave. 

Sipas këtij dokumenti, Qeveria Haradinaj ka ndarë 43 milionë euro apo 12 milionë euro më shumë se sa që ishte propozuar nga Departamenti i Tatimit në Pronë, për shpronësimin e 16 zonave kadastrale. 

Bazuar në këto gjetje të auditorit të MF-së, ky departament kishte konstatuar se 122 prona në fshatin Drenoc vlejnë 6 milionë e 146 mijë euro. Mirëpo, sipas këtij dokumenti, këto prona ishin shpronësuar për 11 milionë euro, me vendim të Qeverisë Haradinaj.

Ndërkaq, pronat në fshatin Gllarevë, shpronësimi i të cilave sipas Departamentit për Tatim në Punë, do t’i kushtonte buxhetit të shtetit 5.8 milionë euro, u shpronësuan për 7 milionë euro. 

Ministri Murati paralajmëroi se këto gjetje të auditorit do t’i dorëzojë nesër në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. 

“Ne normalisht që e kemi stopuar, pra me këtë gjetje ne do ta stopojmë këtë vlerësim. Do të shohim të gjitha mundësitë ligjore dhe që nesër do ta dorëzojmë në prokurori raportin e auditorit, si dhe do të ndërmarrim të gjitha hapat që të shikojmë për ta shpëtuar buxhetin.”

“Deri tani nuk është kryer asnjë pagesë, fatmirësisht. Jemi të sigurt që nuk është dëmtuar buxheti deri tani, por nga tani e tuje kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit që të ndërmarrë të gjitha veprimet që përgjegjësit t’i vë para drejtësisë dhe po ashtu të hapë rrugë për rishqyrtimin që ky vendim të anulohet dhe të mund të bëhet një rivlerësim i projektit në tërësi”, tha ai para gazetarëve./Gazeta Sinjali/

CATEGORIES
TAGS
Share This