Ky është personi që iu gjetën mbi 4 kg drogë në veturën e tij
Hetimet disa javore të Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Mitrovicë kanë rezultuar me identifikimin e dy personave të dyshuar për shitblerje dhe shpërndarje të drogës. Dy të dyshuarit janë arrestuar pas një aksioni të Policisë, që u zhvillua në rrugën Klinë – Mitrovicë, ku edhe u ndaluan të njëjtit, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se njëri nga të dyshuarit për këtë rast është Xhevat Ibrahimi, 38-vjeçar, i cili bashkë me mikun e tij, u kapën në flagrancë nga Policia.
Gjatë kontrollit të automjetit të të dyshuarve, në një çantë të madhe është gjetur një qese e zezë, brenda së cilës u gjeten (4710) gramë substancë e dyshuar narkotike, e llojit marihuanë.
Përveç drogës, është sekuestruar edhe vetura e tyre, e tipit Mercedes, si dhe dy telefona.
Pas përfundimit të aksionit, Prokurori i Shtetit ka lëshuar vendim për ndalim ndaj dy të dyshuarve nën dyshimin e arsyeshëm se kanë kryer vepër penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.