Dy nxënës keqtrajtojnë dhe i kërkojnë ‘haraç’ shokut të klasës në shkollën ‘Shkëndija’, intervenon Policia

Dy nxënës keqtrajtojnë dhe i kërkojnë ‘haraç’ shokut të klasës në shkollën ‘Shkëndija’, intervenon Policia

Nxënësit problematikë nëpër shkolla të vendit, shpesh herë përfundojnë në telashe për shkak të sjelljeve të tyre të dhunshme dhe që cenojnë integritetin e bashkëmoshatarëve të tyre. Ata në shumë raste përdorin dhunë ndaj nxënësve tjerë, duke i bërë këta të fundit të ndihen të frikësuar që të vijojnë procesin mësimor, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë që dyshohet të ketë ndodhur në shkollën fillore të mesme të ulët ‘Shkëndija’ në Hajvali të Prishtinës, Prokuroria ka nisur hetimet.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se një nxënës i kësaj shkolle ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi që tash e një kohë është viktimë e dhunës nga dy shokë të klasës së tij.

Bazuar në dëshminë e të miturit dhënë organeve të hetuesisë në prezencën e prindit të tij, dy të dyshuarit e kanë detyruar atë që t’u japë para. E në ato herë që ai refuzonte të bënte një gjë të tillë, dy nxënësit dyshohet se e sulmonin fizikisht.

Si pasojë e dhunës që ka përjetuar për rreth tri javë, i mituri ka marrë lëndime në kokë, për çka edhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Ndërkohë në vazhdën e veprimeve hetimore, personat e përfshirë në rast do të intervistohen në stacion policor.

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarve të iniciohet rasti për veprat ‘Detyrim’ dhe ‘Lëndim i rëndë trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

CATEGORIES
TAGS
Share This