Kaq mjekë ikën nga Kosova brenda një muaji!
Ligji i ri i pagave, që shënojnë një rritje minimale për stafin shëndetësor nuk ka arritur të bindë mjekët që të mos e lënë Kosovën, për një rroge më të mirë në vendet e huaja. Që nga janari i këtij vitit, 31 mjekë kanë braktisur institucionet shëndetësore, shkruan Gazeta Insajderi.
Vetëm gjatë muajit janar të 2023 janë larguar 24 mjekë kurse që nga fillimi i muajit shkurt 7 mjekë kanë lënë spitalet kosovare.
Këto shifrat alarmante i ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.
Sejdiu tha se mantelbardhët kanë kërkuar kushte më të favorshme në shtetin gjerman.
“31 mjekë gjatë vitit 2023 janë larguar nga puna për të shkuar jashtë vendit. 24 janë larguar në muajin janar, ndërsa 7 për pak ditë të shkurtit”, tha kreu i Odës së Mjekëve.
Kreu i Odës së Mjekëve shtoi se një ndër arsyeje që çojnë profesionistët deri në largimin e vendit është pikërisht paga e ulët.
“Arsyet e mjekëve janë të shumta që po largohen nga vendi i punës për jashtë vendit. Vitin e kaluar përmes një sondazhi kanë qenë kushtet e punës, kualiteti i specializimeve dhe paga por këtë vit ka ndryshuar ky sondash dhe është arsyeja e parë është mundësia e punësimit e dyta është çështja e pagave dhe e treta kushtet e punës“, ka thënë Sejdiu.
Fenomenin e ikjes së mjekëve jashtë vendit, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia e ka quajtur çështje mjaftë brengosëse për qeverinë dhe MSH.
Por, i njëjti mendon se me Ligjin e ri të Pagave punonjëseve shëndetësor janë pikërisht kategoria që kanë përfituar më të shumti.
“Po është e vërtetë, jemi ka përballemi me mungesën e anesteziologëve, jo infermierëve deri në atë shkallë por në anën tjetër po, po na brengos neve si Ministri e Shëndetësisë edhe si Qeveri në total ikja e profesionistëve shëndetësor jashtë vendit. Në këtë drejtim, jemi munduar edhe në raport me koeficientet tani, mendoj që profesionistët shëndetësor kanë përfituar më së shumti nga çdo kategori tjetër”, ka deklaruar ministri pas mbledhjes së qeverisë.