Tre persona ndalohen nën dyshimin për bixhoz të paligjshëm
Ferizaj- Policia e Kosovës (PK) njofton se janë arrestruar F.K (55-vjeçar), A.Sh (23-vjeçar) dhe R.F (35-vjeçar) dhe të njëjtit janë dërguar në mbajtje, nën dyshimin për organizim të bixhozit të paligjshëm. Ndërsa, 10 të dyshuar të tjerë, janë liruar në procedurë të rregullt.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga policia, ku thuhet se rasti ka ndodhur të martën, rreth orës 20:00, pasi policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informacion se në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në një kafene po zhvillohej aktivitet i paligjshëm i bixhozit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ekipe të policisë së rendit dhe policët hetues i kanë marrë veprimet e menjëhershme dhe janë nisur në drejtim të lokacionit, ku aty kanë hasur 13 persona duke luajtur bixhoz, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur gjashtë pajisje tabletë, shtatë paketime të letrave të bixhozit dhe para 2,639 euro, të cilat janë sekuestruar”, thuhet në njoftim.