Gjykata dënon me dy vjet burg zyrtarin e Qeverisë për mashtrim
Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykim e ka shpallur fajtor ish-zyrtarin e Qeverisë së Kosovës, Zahir Bajrami, duke e dënuar me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë për mashtrim.
Sipas aktgjykimit të shpallur të premten nga gjykatësi Agim Kuçi, në dënimi me burgim ndaj Bajramit do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Gjithashtu, i akuzuari obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumë prej 100 euro, si dhe shumën prej 50 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.
Sipas gjykatësit Kuçi, pala e pakënaqur ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së aktgjykimit.
Ndryshe, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim për herën e tretë rastin ndaj të akuzuarit Zahir Bajrami, për shkak se ka gjetur shkelje esenciale të dispozitave ligjore.
Ndërsa, më 21 gusht 2019, prokurorja Dulina Hamiti kishte bërë precizimin e dispozitivit të aktakuzës për të akuzuarin Zahir Bajrami, për të cilin kishte thënë se do të bëjë korrigjim në rreshtin e parë ku thuhet se “I pandehuri Bajrami me qëllim të përftimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten dhe djalin e tij sa ishte drejtor për Buxhet dhe Financa në Zyrën e Kryeministrisë së Kosovës, kishte mashtruar të dëmtuarin” dhe sipas prokurores pas kësaj vazhdon dispozitivi me fjalët prej vitit 2012, disa herë ishin takuar me të dëmtuarin Musliji.
Lidhur me këtë rast, i akuzuari Zahir Bajrami, në tetor 2017, ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare” dhe ai ishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim.